
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, mbërriti në Turqi përpara negociatave të mundshme për një armëpushim me Rusinë, edhe pse Presidenti rus Vladimir Putin nuk do të marrë pjesë në këto bisedime.
Avioni i Zelensky-t u ul në aeroportin e Ankarasë, ku ai pritet të zhvillojë një takim me Presidentin turk, Rexhep Tajip Erdogan.
Gjatë një deklarate për mediat në aeroport, Zelensky tha se delegacioni ukrainas është i përbërë nga zyrtarë të nivelit më të lartë, përfshirë Ministrin e Jashtëm Andrii Sybiha, përfaqësues të ushtrisë, Zyrës së Presidentit dhe drejtues e “të gjitha agjencive të inteligjencës”.
Delegacioni rus ka mbërritur gjithashtu në Turqi, ku do të zhvillohen bisedimet në Stamboll, por pa pjesëmarrjen e Presidentit Putin. Kremlini ka bërë të ditur se negociatat do të drejtohen nga ndihmësi presidencial Vladimir Medinsky.
Një burim pranë Zyrës Presidenciale të Ukrainës i tha Kyiv Independent se Zelensky do të vendosë për hapat e mëtejshëm në lidhje me negociatat pas takimit me Presidentin Erdogan.
“Duhet të kuptojmë se cili është niveli i delegacionit rus, cili është mandati i tyre dhe nëse janë të aftë të marrin vendime vetë”, tha Zelensky pasi mbërriti në Ankara.
"Sepse të gjithë e dimë se kush merr vendime në Rusi", shtoi ai, duke thënë se Moska duket se ka dërguar një delegacion "të rremë".
Ndërkohë, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shprehur optimizëm në lidhje me zhvillimin e takimit dhe ka sugjeruar se mund të marrë pjesë më 16 maj, nëse arrihet përparim.