
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar Rusinë se nuk po tregon interes për t’i dhënë fund luftës, duke vazhduar sulmet ajrore në qytete të ndryshme të Ukrainës.
“Ata që duan që lufta të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur, nuk veprojnë në këtë mënyrë”, shkroi Zelensky në X, duke iu referuar gatishmërisë së pretenduar të Moskës për të ndalur luftimet.
Sipas tij, vetëm gjatë javës së kaluar forcat ruse kanë lëshuar mbi 1,020 dronë sulmues, rreth 1,360 bomba ajrore të drejtuara, si dhe më shumë se 10 raketa të tipeve të ndryshme.
Nga ana tjetër, ndërkohë që Zelensky ka rënë dakord në parim për një armëpushim 30-ditor të propozuar nga Shtetet e Bashkuara, presidenti rus Vladimir Putin ka vendosur kushte për marrëveshjen dhe nuk ka zbutur kërkesat e tij.
Ndërkohë, Ministria ruse e Mbrojtjes ka raportuar se Ukraina ka kryer sulme të përsëritura me dronë në territorin rus.
Zelensky u ka bërë thirrje aleatëve ndërkombëtarë të Ukrainës që të vazhdojnë të ofrojnë sisteme të mbrojtjes ajrore për të mbrojtur më mirë vendin. Ai gjithashtu i ka kërkuar Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të ushtrojnë presion të përbashkët ndaj Rusisë, për t’i dhënë fund luftës dhe për të arritur një paqe të drejtë e të qëndrueshme
“Nevojiten masa vendimtare, duke përfshirë sanksionet që jo vetëm duhet të mbahen, por edhe të forcohen vazhdimisht”, shtoi ai.