Një shqiptar ka rënë në prangat e Policisë së Guimar në Spanjë, për kultivim të lëndëve narkotike. Plantacioni i mariuanës i gjendur në afërsi të Puertito, u zbulua nga policia mëngjesin e kësaj të enjte, ndërsa mësohet se përvec të arrestuarit me kombësi shqiptare, nën hetim janë vendosur edhe 4 shtetas të tjerë të huaj.
Sipas mediave vendase, plantacioni i mariuanës ishte vendosur në një fermë bujqësore, brenda një sere klandestine, e cila përdorej për kultivimin e bimëve narkotike. Gjatë kontrollit në pronë, policia ka gjetur një plantacion marijuane në fazën e lulëzimit me bimë mbi 1.60 metra të larta dhe dy zona të brendshme të rritjes në faza të ndryshme zhvillimi.
Ndërsa u konfiskuan më shumë se 1500 bimë kanabisi dhe rreth 8 kilogramë sytha marijuanë, të cilat ishin tharë dhe të përgatitura për tu shpërndarë në treg. Gjithashtu, bëhet e ditur se janë sekuestruar 65 kilogramë drogë.
Ndaj shqiptarit të arrestuar rëndon akuza për krim kundër shëndetit publik ndërkaq bëhet e ditur se ai si dhe marijuana e sekuestruar dhe materialet e konfiskuara i janë vënë në dispozicion Gjykatës Hetimore të Guimarit.