
Shpërthime dhe të shtëna armësh u dëgjuan në objektin e TAI-Turkish Aerospace Industries Inc, 50 kilometra larg Ankara.
Nga sulmi terrorist mësohet se ka viktima dhe dhjetra të plagosur, ndërsa sulmi është ende në zhvillim. Ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya, e quajti këtë një sulm terrorist pa dhënë detaje të mëtejshme.
"Fatkeqësisht, pas sulmit kemi pasur dëshmorë dhe të plagosur", shtoi ai.
Ndërsa në internet me shpejtësi po qarkullojnë video nga momenti i shpërthimit dhe të shtënave me armë, si dhe fotografitë e personave të përfshirë në sulmin terrorist.

Pamjet e para të kamerave të sigurisë të shpërndara në X tregojnë një djalë dhe një vajzë të armatosur dhe me fytyrë të zbuluar në aksion.
Sipas mediave turke, mund të ketë pengje. Përplasja midis agresorëve dhe forcave të rendit është ende në zhvillim. Deri tani, sipas mediave, janë konfirmuar dy viktima.
Raportohet për 2 terroristë brenda godinës, të cilët refuzojnë të dorëzohen dhe qëllojnë drejt policisë turke.
Forcat e sigurisë, ambulancat dhe zjarrfikësit janë dërguar në vendngjarje, ndërsa punonjësit e kompanisë janë zhvendosur në një zonë të sigurt.
Kompania ku ndodhi shpërthimi është “Tusas”, e cila prodhon si avionë për aviacionin civil, si Airbus, ashtu edhe F-16 të destinuar për aviacionin turk.
Sulmi ndodhi ndërsa presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ishte në qytetin rus të Kazanit për të marrë pjesë në samitin vjetor të BRICS.

Ministri turk i Drejtësisë Yılmaz Tunç ka dalë në një deklaratë ku tha se “Ka nisur një hetim nga Kryeprokuroria Publike e Ankarasë në lidhje me sulmin terrorist të pabesë dhe janë emëruar 1 zv/kryeprokuror publik dhe 8 prokurorë publikë”.