
Të paktën 115 persona u vranë nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës në 24 orët e fundit, raportoi televizioni Al Jazeera me seli në Katar.
Sipas Spitalit Nasser në Khan Younis, 54 persona, përfshirë gra dhe fëmijë, u vranë vetëm në qytetin jugor.
Ndërkohë, autoritetet shëndetësore në Gaza njoftuan se Spitali Evropian i Gazës, i vetmi institucion mjekësor që ofron trajtim të vazhduar për pacientët me kancer në enklavë, ka dalë jashtë funksionit për shkak të bombardimeve të fundit.
Sulmet izraelite “shkaktuan dëme të konsiderueshme në infrastrukturë, të tilla si linjat e kanalizimeve, dëmtime në departamentet e brendshme dhe shkatërrimin e rrugëve që të çojnë në spital", thuhet në një tjetër deklaratë zyrtare.
Këto sulme ndodhën pasi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, paralajmëroi të martën se forcat izraelite do të hynin në Gaza, në përpjekje për të mposhtur Hamasin.
Izraeli rifilloi operacionet ushtarake në shkallë të gjerë më 18 mars, duke i dhënë fund një armëpushimi dy-mujor. Që nga ajo kohë, sipas zyrtarëve të shëndetësisë në Gaza, janë vrarë 2,876 palestinezë dhe mbi 7,800 të tjerë janë plagosur.
Numri i përgjithshëm i të vdekurve palestinezë që nga shpërthimi i luftës më 7 tetor 2023 ka arritur në 53,010, thanë zyrtarët të enjten.