Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, mbetet në gjendje të rëndë, por të qëndrueshme, ndërsa personi i akuzuar për tentativë vrasjeje bëri paraqitjen e tij të parë në gjykatë.
Ministrja e Shëndetësisë Zuzana Dolinkova tha se një operacion dy-orësh në Fico një ditë më parë për të hequr indet e vdekura nga plagët e shumta me armë zjarri "kontribuoi në një prognozë pozitive".
Por nuk ka gjasa që kryeministri të transferohet nga spitali në Banska Bystrica në kryeqytetin Bratislavë, në ditët në vijim, pasi ai mbetet në "gjendje të rëndë", tha zëvendëskryeministri Robert Kalinak, i cili është edhe ministër i mbrojtjes.
Fico, 59 vjeç, u qëllua pesë herë të mërkurën teksa po dilte nga një mbledhje qeveritare dhe po përshëndetej njerëzit në qytetin qendror Handlova.
Ndërkohë, një gjykatë në Pezinok, në verilindje të Bratislavës, vendosi të shtunën se i dyshuari do të mbahet në paraburgim.
Prokurori kishte kërkuar që i dyshuari, të caktohej në paraburgim pasi ai ishte akuzuar për një tentativë vrasjeje me paramendim.
“Nëse gjuajtja do të shkonte vetëm disa centimetra më lart, do të kishte goditur mëlçinë e kryeministrit,” tha Ministri i Brendshëm Matus Sutaj Estok për transmetuesin TA3.
Prokurorët më herët kishin kërkuar nga policia që të mos identifikonte publikisht të dyshuarin ose të jepte informacione të tjera rreth rastit, por detajet u raportuan nga mediat lokale.