
Turqia synon të furnizojë me energji elektrike Sirinë si dhe të forcojë intrastrukturën e saj në fushën e energjisë si dhe atë të naftës dhe gazit natyror.
Ky lajm u bë i ditur nga vetë ministri i Energjisë turk Alparslan Bayraktar, i cili deklaroi për mediat turke se një delegacion është ngritur nën drejtimin e tij dhe pritet të zhvillojë një takim të shtunën në Siri ku do të diskutohet për transmetimin e energjisë elektrike, infrastrukturën dhe çështje të tjera.
"Ne duhet të sigurojmë shumë shpejt energji elektrike për pjesët e Sirisë që nuk kanë energji elektrike, me importe në fazën fillestare. Në planin afatmesëm, ne gjithashtu planifikojmë të rrisim fuqinë e caktuar të energjisë elektrike, kapacitetin e prodhimit atje,” raporton media turke Hurriyet.
"Ka nevojë për gjithçka në Siri. Ne do të punojmë në masterplanin e infrastrukturës me krerët atje," tha ai, duke shtuar se Turqia mund të dërgojë gjithashtu energji elektrike në Liban nëpërmjet Sirisë.
Bayraktar tha se Ankaraja po punonte për përdorimin e burimeve të naftës dhe gazit natyror të Sirisë për rindërtimin e vendit, pasi prodhimi i të dyjave kishte rënë ndjeshëm gjatë luftës.
"Ka shumë tema që duhet të maturohen, nga formimi i një tubacioni nafte nga Siria në Turqi, bashkimi i tij me tubacionin tonë Irak-Turqi," tha ministri i Energjisë, duke shtuar se Ankaraja dhe Damasku mund të bashkëpunojnë për naftën dhe gazin natyror në të ardhmen.
Kujtojmë që Turqia është në mbështetje të rebelëve sirianë të cilët rrëzuan nga pushteti diktatorin Bashar al-Assad si dhe ishin vendi i parë që rihapi ambasadën turke në Siri. Gjithashtu Turqia është zotuar për të ndihmuar vendin dhe qeverinë aktuale të vendosur në Siri për rindërtimin e vendit.