Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, do të dëgjojë të hënën prokurorët pse dyshojnë që fshehja e kryerjes së një pagese për një yll të pornografisë, gjatë fushatës presidenciale më 2016, nënkupton shkelje të ligjit.
Kjo seancë do të shënojë nisjen e procesit gjyqësor për këtë rast, në një gjykatë në Nju Jork.
Avokatët e kandidatit presidencial republikan do të bëjnë, po ashtu, deklaratat hyrëse në këtë proces, i cili është vetëm një prej katër rasteve gjyqësore me të cilat përballet Trump, para zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit.
Trump me shumë gjasë do të përballet sërish në garë me presidentin aktual, Joe Biden. Prokurorët kanë thënë se pagesa prej 130.000 dollarëve që ka kryer ish-avokati i Trumpit, Michael Cohen për yllin e pornografisë, Stormy Daniels, në këmbim të heshtjes së saj lidhur me një rast ku është përfshirë Trump dekada më parë, ka përbërë mashtrim për votuesit në ditët e para të fushatës së vitit 2016, kohë kur ai veçse është përballur për sjellje tjera të këqija seksuale.
Trump është deklaruar i pafajshëm në 34 pika për falsifikim të dokumenteve biznesore dhe e mohon që ka pasur marrëdhënie seksuale me Danielsin.
Në mëngjesin e së hënës, Trump u ka bërë thirrje mbështetësve për protestë paqësore. Ekspertë ligjorë besojnë se ky është rasti që mund ta përballë Trumpin me më së paku pasoja.
Edhe nëse shpallet fajtor, atij nuk do t’i ndalohet të marrë pjesë në garën për president, por do të mund të dëmtohet fushata e tij. Rastet tjera gjyqësore lidhen me rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, të cilat i ka kontestuar Trump, dhe të cilat i ka fituar Biden./rel