Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, i dërgoi një mesazh të ashpër Hamasit , duke i bërë thirrje që të lirojë pengjet deri në inaugurimin e tij më 20 janar.
Ai i ka paralajmëruar se nëse ata nuk do të lirojnë pengjet “do ta paguajnë shtrenjtë”.
“Nëse pengjet nuk lirohen deri më 20 janar 2025, ditën kur marr me krenari presidencën e Shteteve të Bashkuara, ata që kryen këto mizori kundër njerëzimit do ta paguajnë shtrenjtë”, tha Trump në një postim në platformën “Truth Social”.
“Ata që janë përgjegjës do të goditen më shumë se kushdo në historinë e gjatë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Lironi pengjet tani!”, përfundon ai.
Në sulmin e nisur nga Hamasi më 7 tetor 2023 kundër Izraelit , 1200 njerëz u vranë dhe 251 u rrëmbyen dhe u dërguan në Rripin e Gazës.