
Organizata e Bashkimit Europian si dhe përfaqësues të vendeve anëtare, kanë reaguar pas deklaratave të presidentit të SHBA-ve, Donald Trump për vendosjen e tarifave 50% për të gjitha mallrat e importuar nga BE, pasi nuk po shihet asnjë progres në negociatat midis tyre.
Bashkimi Europian ka deklaruar se mbetet i përkushtuar për të arritur një marrëveshje tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa është theksuar se se dialogu duhet të udhëhiqet nga respekti i ndërsjellë dhe jo nga kërcënimet.
“BE-ja është plotësisht e angazhuar, e përkushtuar për të siguruar një marrëveshje që funksionon për të dyja palët”, tha Komisioneri i Tregtisë i BE-së, Maros Sefcovic, pas një telefonate me Përfaqësuesin e Tregtisë të SHBA-së, Jamieson Greer, dhe Sekretarin e Tregtisë, Hoëard Lutnick.
"Tregtia BE-SHBA është e pakrahasueshme dhe duhet të udhëhiqet nga respekti i ndërsjellë, jo nga kërcënimet. Ne jemi të gatshëm të mbrojmë interesat tona."
Shtetet europiane janë shprehur në reagimet e tyre kundër kërcënimeve të Trump, se vendosja e tarifave më të larta do të ishin të dëmshme për të dyja palët.
"Nuk kemi nevojë të ndjekim këtë rrugë. Negociatat janë mënyra më e mirë dhe e vetmja e qëndrueshme përpara", tha Taoiseach (Kryeministri) i Irlandës, Micheál Martin.
"Ne po mbajmë të njëjtën linjë: ulje të tensioneve, por jemi të gatshëm të përgjigjemi", tha Ministri i Jashtëm Francez Laurent Saint-Martin.
Ministrja gjermane e Ekonomisë, Katherina Reiche, tha se "duhet të bëjmë gjithçka për të siguruar që Komisioni Evropian të arrijë një zgjidhje të negociuar me Shtetet e Bashkuara".
Kryeministri holandez Dick Schoof u tha gazetarëve se ai mbështet strategjinë e BE-së në bisedimet tregtare dhe "ne kemi parë më parë se tarifat mund të rriten dhe të ulen në bisedimet me SHBA-në".
Një muaj më parë, Trump tarifoi vendet e Bashkimi Europian me 20% për të gjitha mallrat e importit, tarifë të cilën e përgjysmoi në 10% për t’i lënë kohë negociatave mes vendeve të përparonin. Ndërkohë ditën e djeshme në rrjete sociale, Trump shpalli vendimin e tij për të futur në fuqi më 1 qershor tarifën prej 50% duke u shprehur se “Diskutimet tona me ta (BE-në) nuk po çojnë askund”.
BE-ja është një nga partnerët më të mëdhenj tregtarë të Uashingtonit, duke dërguar më shumë se 600 miliardë dollarë (528 miliardë euro; 443 miliardë paund) në mallra vitin e kaluar dhe duke blerë mallra me vlerë 370 miliardë dollarë, tregojnë shifrat e qeverisë amerikane.