
Presidenti i sapozgjedhur i SHBA, Donald Trump, ka nisur ditën e tij të parë në detyrë me një valë të gjerë shkarkimesh në administratën e Shtëpisë së Bardhë. Mijëra punonjës, të cilët sipas tij nuk përputhen me vizionin e ri të qeverisjes, janë larguar nga detyra në një lëvizje drastike për të riformatuar administratën federale.
Trump e bëri të njohur këtë vendim përmes platformës së tij Truth Social, ku deklaroi se zyra e personelit presidencial është në procesin e eliminimit të mbi një mijë zyrtarëve të emëruar nga administrata e mëparshme. Në postimin e tij, ai përmendi katër emra të larguar, mes të cilëve gjeneralin Mark Milley, kuzhinierin e njohur Jose Andres, diplomatin Brian Hook dhe Keisha Lance Bottoms nga Këshilli i Eksportit të Presidentit.
Shkarkimi i Milley vjen pas një vendimi të Joe Biden për t’i dhënë atij mbrojtje të plotë për shkak të përplasjeve të tij me Trump gjatë mandatit të mëparshëm. Ndërkohë, Jose Andres, i cili ka drejtuar organizatën humanitare World Central Kitchen, ka qenë i angazhuar kohët e fundit në ndihmë për viktimat e zjarreve në Kaliforni.
Burime pranë administratës bëjnë të ditur për mediat e huaja se përveç këtyre ndryshimeve, ekipi i tranzicionit të Trump ka kërkuar dorëheqjen e një numri të konsiderueshëm diplomatësh të karrierës, si pjesë e strategjisë së tij për të riformuar trupin diplomatik amerikan. Këto masa të shpejta tregojnë një qasje të vendosur të presidentit të 47-të për të rivendosur kontrollin e tij mbi administratën federale që në ditët e para të mandatit të ri.