
Një ngjarje e rëndë ka tronditur këtë të enjte Francën. Sipas asaj që mediat vendase raportojnë mësohet se në një shkollë në qytetin e Nantes, në Francën perëndimore një student mbeti i vdekur dhe tre të tjerë të plagosur.
Rreth orës 12:30 të kësaj të enjte në shkollën e mesme “Notre-Dame de Toutes-Aides” një nxënës i kësaj shkolle sulmoi me thikë bashkëmoshtarët e tij. Si pasojë humbi jetën një 15-vjeçar, ndërkohë që u plagosën tre të tjerë.
Kanë qenë mësuesit ata të cilët arritën të neutralizojnë autorin, ndërkohë që më pas mbërriti policia dhe bëri të mundur arrestimin e tij. Sipas mediave të huaja, referuar burimeve pranë policisë, mësohet se ky shtetas nuk rezulton të jetë me precedentë të mëparshme penale.
Deri më tani indentiteti i viktimës dhe të plagosurve nuk është bërë me dije, ndërkohë që zëdhënësi i policisë tha se nuk ka dyshime që kemi të bëjmë me një sulm terrorist.