
Zjarri i madh që ra ditën e djeshme në hotelin luksoz në resortin e skive në Kartalkaya, në provincën Bolu, ka shkaktuar të paktën 76 viktima dhe dhjetëra të plagosur, ndërsa numri i viktimave pritet të rritet.
Ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya, teksa njoftoi numrin e viktimave mbrëmjen e së martës, tha se disa prej tyre tashmë janë identifikuar deri më tani. Raportohet se mes viktimave ishte një atlete me origjinë turke, një profesor dhe një gazetar.
Ndërkohë, gazetari Sokol Brahaj, ka zbuluar për Euronews, se mes viktimave ka edhe biznesmenë të mëdhenj. Gazetari thekson se personazhe të famshëm dhe biznesmenë kanë qenë në hotelin luksoz, pasi në Turqi ishte një pushim dyjavor zyrtar dhe shumica e këtyre familjeve kishin shkuar për të bërë dhurata për të afërmit dhe fëmijët e tyre këto pushime.
Klubi Sportiv Fenerbahçe tha në mediat sociale se Vedia Nil Apak, një notare e lindur në vitin 2014 dhe nëna e saj, Ferda Apak, vdiqën nga zjarri.
Prof. Dr. Ozgur Demirtas, drejtuesi i financave në Universitetin Sabanci, njoftoi në rrjetet sociale se Prof. Dr. Atakan Yalcin, dekan i Fakultetit të Biznesit në Universitetin Ozyegin, gjithashtu humbi jetën nga flakët.
Një përfaqësues i medias turke Sozcu, Nedim Turkmen, i cili po ashtu po qëndronte në hotel me familjen e tij, nuk është gjendur ende që prej zjarrit.
Ndërkohë, në lidhje me zjarrin e rënë janë ndaluar 9 persona, teksa po punohet për zbardhjen e shkaqeve. Katër persona, përfshirë pronarin e hotelit, janë arrestuar në kuadër të hetimit.
Turqia shpalli ditë zie kombëtare pas tragjedisë. Presidenti Rexhep Tajip Erdogan njoftoi ceremoninë njëditore pas një takimi të kabinetit.