Tensionet në Lindjen e Mesme sa vijnë e thellohen me aktorë të rinj që hyjnë në skenë, për të kundërshtuar sulmet izraelite në Palestinë, Bejrut dhe zona të tjera përreth,
Tashmë, një përballje e re po zhvillohet midis Turqisë dhe Izraelit, ndërsa shkak i eskalimit të situatës është bërë mbyllja e rrjetit social “Instagram” në rajonin turk.
Epo lojën duket se e ka filluar sërish Izraeli, ku ministri i Jashtësm izraelit, Israel Katz kritikoi në “X”, presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan për mbylljen e rrjetit social Instagram, ndërsa sipas tij, nuk është perëndimi ai që mbahet peng nga Izraeli, por janë qytetarët e Turqisë ato që janë peng i sistemit diktatorial të Erdogan.
Katz vijon më tej duke shpërndarë edhe një llogari në Instagram, ku pretendon se ndërsa qytetarëve u është mohuar e drejta për të lundruar në këtë rrjet, vetë Presidenti është aktiv.
“Dje, diktatori antisemitik Erdogan sulmoi verbalisht SHBA-në dhe vendet perëndimore, duke thënë se ata ishin kapur nga sionistët e Izraelit.
Erdogan, ata që mbahen peng janë qytetarët e Turqisë, të bllokuar në diktaturën tuaj. Ju bllokuat Instagramin për 57 milionë përdorues në vendin tuaj, por lejuat hyrjen në llogarinë tuaj në Instagram.
Sado sulme të bëhen kundër meje, unë do të vazhdoj të zbuloj të vërtetën para qytetarëve të Turqisë dhe botës. Një lider që përqafon Hamasin, shtyp popullin e tij dhe sillet si diktator është diktator”,- u shpreh ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz në “X”.
Deklarata e ministrit izraelit është pasuar në mënyrë të menjëhershme nga ministria e Jashtme turke, ku sipas saj Katz bën deklarata të rreme dhe me shpifje për të sulmuar vendin dhe vetë Presidentin turk, ndërsa shton se Turqia është e vendosur që të mbështesë Palestinën në mënyrën më të fuqishme të mundshme.
“Ka disa kohë që personi në fjalë nuk mund të merret seriozisht. Ai është mësuar të bëjë deklarata banale, plot shpifje dhe gënjeshtra, duke synuar vendin tonë dhe presidentin tonë. Republika e Turqisë do të vazhdojë të mbështesë palestinezët në mënyrën më të fuqishme të mundshme”,- përfundon Ministria e Jashtme turke.
Kujtojmë se Turqia shpeshherë ka kritikuar sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës, ndërsa i ka cilësuar ato si gjenocid ndaj njerëzimit.
Erdogan ka marrë masa duke ndërprerë marrëdhëniet në fushat ekonomike me Izraelin, teksa ka bërë kërkesë që Gjykata e Drejtësisë të dënojë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu se po kryen krime lufte në Palestinë.