Një sulm me thikë ka ndodhur ditën e sotme në East Street Market, në jug të Londrës, ku një person ka humbur jetën dhe dy të tjerë janë plagosur rëndë.
Mediat britanike raportojnë se sulmi ka ndodhur në orët e mëngjesit, ndërsa autoritetet kanë arrestuar një burrë rreth të 60-ve në vendngjarje.
Komandanti i policisë, Peter Stevens, tha se hetimet janë në vijim për të sqaruar arsyet e këtij akti tragjik. “Tragjikisht, një burrë humbi jetën këtë mëngjes, dhe oficerët tanë po punojnë intensivisht për të kuptuar se çfarë ka ndodhur dhe për të mbështetur familjen e tij. Mendimet dhe ngushëllimet e mia të sinqerta janë me ta dhe me të lënduarit e tjerë,” - tha Stevens.
Policia ka siguruar vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për të përcaktuar motivet e sulmit, ndërkohë që shërbimet mjekësore kanë asistuar të plagosurit, të cilët janë dërguar në spital për trajtim.