
Kryeministrja italine Giorgia Meloni ka mbërritur tashmë në Washington prej nga do të takohet me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump në një kohë që marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Europës nuk janë në ditët më të mira.
Girogia Meloni është udhëheqësja e parë europiane e cila do të takohet me presidentin amerikan pas sanskioneve që ky i fundit vendosi për të gjitha importet europiane e më gjerë në fillim të këtij muaji.
Në fillim të prillit, Trump njoftoi një tarifë “reciproke” prej 20% për të gjitha mallrat e importuara nga BE, si pjesë e politikës së tij të gjerë të tarifave të tregtisë globale. Që atëherë ai e ka ulur tarifën në 10% për 90 ditë, duke lejuar që të zhvillohen negociata për të gjetur një marrëveshje tregtare.
Takimi Trump-Meloni është cilësuar një “test” për aftësitë diplomatike të kryeministres italiane, takim i cili pritet të shërbejë si një “urë lidhëse” mes SHBA-ve dhe Europës me qëllim gjetjen e një kompromisi për të zgjidhur atë që Trump e sheh si një marrëdhënie tregtare të padrejtë dhe të pabalancuar mes Amerikës dhe Europës.
Ndër të tjera, Trump është shprehur më parë me superlativa lidhur me figurën e Giorgia Meloni si drejtuese e një shteti teksa e ka përshkruar atë si një “grua fantastike” që “po e merrte vërtet Evropën nga stuhia” kur u takuan në Mar-a-Lago në janar.