
Gjendja shëndetësore e ish-presidentit brazilian Jair Bolsonaro është përkeqësuar, sipas një deklarate mjekësore nga spitali DF Star, ku ai po trajtohet.
Bolsonaro iu nënshtrua një operacioni të vështirë 12-orësh në zorrë në fillim të këtij muaji, por mbetet në kujdes intensiv, me mjekët që planifikojnë teste të reja për të vlerësuar gjendjen e tij, sipas Reuters.
Ish-presidenti brazilian iu nënshtrua operacionit të tij të pestë që nga shtatori 2018, kur u godit me thikë në bark gjatë një fushate zgjedhore.
Ditë më parë, mediat ndërkombëtare raportuan se politikani 70 vjeçar është zgjuar nga anestezia dhe po kalonte “shumë mirë” në repartin e kujdesit intensiv, mirëpo kur të gjithë prisnin lajmin e mirë, duket se gjendja shëndetësore e Bolsonaros është përkeqësuar.
Të premten, ish-presidenti i Brazilit Jair Bolsonaro e përshkroi gjendjen e tij të qëndrueshme dhe pa temperaturë. Ai falënderoi stafin mjekësor dhe të gjithë brazilianët "për lutjet, mesazhet dhe shfaqjet e tyre të dashurisë".
Gjykata e Lartë e Brazilit vendosi së fundmi që Bolsonaro duhet të dalë në gjyq për akuzat në lidhje me një komplot të supozuar për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2022, të cilat ai i humbi nga Luiz Inácio Lula da Silva.