Europa është ngritur kundër Elon Musk, miliarderi më i pasur në botë dhe drejtuesi i platformës sociale X (ish-Tëitter).
Musk është përballur me akuza të forta për shkelje të rregullave demokratike dhe etikës publike. Ai është kritikuar ashpër për retorikën e tij përçarëse, mbështetjen e ekstremit të djathtë dhe ndërhyrjet në politikat e brendshme të shteteve europiane.
Liderët europianë kanë shprehur shqetësim të thellë për ndikimin e Musk në çështjet e brendshme të vendeve të tyre, duke vënë në pikëpyetje ndikimin që ai ka në politikën e kontinentit.
Kancelari gjerman Olaf Scholz ka theksuar se shqetësimi i tij nuk është thjesht për fyerjet personale që Musk ka bërë ndaj tij, por për mbështetjen e tij ndaj partisë ekstremiste të djathtë AfD, duke e cilësuar këtë si një kërcënim më të madh për stabilitetin politik të Gjermanisë.
Presidenti francez Emmanuel Macron gjithashtu ka bërë akuza të forta ndaj Musk, duke e akuzuar atë për krijimin e "një internacionaleje të re reaksionare" dhe për ndërhyrje të drejtpërdrejta në zgjedhjet e huaja. Macron theksoi se Musk po përdorte fuqinë e tij për të formuar aleanca me lëvizje politike që janë të kundërta me vlerat demokratike dhe progresive të Evropës.
Po ashtu, kryeministri norvegjez Jonas Gahr Støre ka shprehur shqetësimin e tij për ndikimin e Musk, duke thënë se është problematike që një individ me kaq shumë mundësi financiare dhe ndikim kaq të madh të ndërhyjë në çështje kaq të ndjeshme për shtetet e tjera.
Reagimet e liderëve europianë vijnë pas një serie veprimesh dhe deklaratash të Musk që janë konsideruar si përpjekje për të nxitur ndasi dhe për të ndërhyrë në zgjedhje.