Dy ditë pas nisjes së zjarreve masive në Los Angeles, policia amerikane ka arrestuar një shtetas i cili sipas disa dëshmitarëve ka tentuar të ndezë zjarr në zonën Ëoodland Hills të Los Angelesit.
Edhe pse autoritetet kanë nisur një hetim, ende nuk është konfirmuar ndonjë lidhje mes të dyshuarit dhe zjarreve shkatërruese që kanë përfshirë Kaliforninë, shkruan Forbes.
Kanë qenë banorët e zonës të cilët e kanë pikasur dhe ndaluar këtë shtetas, më deri në arritjen e policisë ku u bë arrestimi i tij.
Sipas dëshmitarëve, ai kishte me vete një “bombol propani ose një lloj pajisjeje për të ndezur flakë”. Polici i LAPD-së, Charles Dinsel, deklaroi se pas arrestimit ka nisur një hetim për zjarrvënie në shtigjet Victory Trailhead, ku zjarri Kenneth shpërtheu 20 deri në 30 minuta përpara arrestimit të të dyshuarit.
Kur u pyet nëse besohet se zjarri ishte i qëllimshëm, Dinsel tha se “aktualisht besojmë se po”. Megjithatë, LAPD ka njoftuar në platformën X se ende nuk mund të konfirmojë lidhjen e të dyshuarit me ndonjë nga zjarret.
Aktualisht, bilanci i viktimave ka arritur në 10 persona, ndërsa rreth 10,000 ndërtesa janë shkatërruar nga flakët. Po ashtu, të prekur nga zjarret janë edhe disa emra të njohur të showbiz-it, si Paris Hilton, Denise Crosby dhe Milo Ventimiglia, të cilët kanë humbur shtëpitë e tyre.