
Shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka reaguar sërish lidhur me situatën alarmante duke dënuar ashpër sulmet iraniane kundër Izraelit.
Përmes një njoftimi zyrtar diplomati u ka bërë thirrje palëve që të përmbahen, teksa më tej ka zbuluar dhe bisedën telefonike me Ministrin e Jashtëm të Iranit Hossein Amir-Abdollahian për t’i kërkuar që situata të mos përshkallëzohet më tej.
“Në emër të shteteve anëtare të BE-së, dënoj në termat më të ashpër sulmet iraniane kundër Izraelit dhe u bëj thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtjen maksimale. Sapo fola me Ministrin e Jashtëm të Iranit, Abdollahian për t'i përcjellë këto mesazhe dhe për t'i kërkuar Iranit që të mos përshkallëzohet më tej”, shkruan Borrell.
Irani nisi gjatë mbrëmjes së djeshme sulmin e drejtpërdrejtë ndaj Izraelit, duke lëshuar më shumë se 300 dronë dhe raketa.
Në një konferencë, zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, Daniel Hagari tha se 99% të raketave i kanë shpërthyer në ajër. Ai ndër të tjera u shpreh se sulmet gjatë natës erdhën nga Iraku dhe Jemeni.
E teksa sulmet nga Irani kanë pak orë që kanë nisur, presidenti i SHBA, Joe Biden ka telefonuar Netanyahun, duke i rikujtuar atij se Amerika qëndron e “hekurt” në krah të Izraelit.
"I thashë atij se Izraeli demonstroi një kapacitet të jashtëzakonshëm për t'u mbrojtur dhe mposhtur edhe sulme të paprecedentë," tha Biden më herët.
Ndërkohë, në reagimin e parë pas sulmeve kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu tha se arritën që të zbrapsin 99% të dronëve kamikazë që u lëshuan nga Irani.
“Ne i përgjuam, i zmbrapsëm, së bashku do të fitojmë," tha ai.