
Shteti i Karolinës së Jugut në SHBA ka ekzekutuar të burgosurin e parë të dënuar me vdekje në 13 vjet, duke i dhënë një injeksion vdekjeprurës Freddie Owens. 46 vjeçari u shpall fajtor nga një juri për vrasjen e punonjëses së dyqanit Irene Graves, gjatë një grabitjeje të armatosur në Greenville në vitin 1997.
Ai u ekzekutua pavarësisht se bashkë-pandehuri i tij nënshkroi një deklaratë nën betim këtë javë duke pretenduar se Owens nuk ishte i pranishëm në kohën e grabitjes dhe vrasjes.
Pavarësisht kësaj, Gjykata e Lartë e Karolinës së Jugut refuzoi të ndalonte ekzekutimin e Owens, duke thënë se pretendimet nuk ishin në përputhje me dëshminë e bërë në gjyqin e tij. 46 vjeçari u ekzekutua në Institutin Korrektues Broad River në Kolumbia, të premten në mbrëmje.
Ai u shpall i vdekur në orën 18:55 me orën lokale (22:55 GMT) pasi iu injektua një ilaç i quajtur pentobarbital. Freddie Owens nuk bëri asnjë deklaratë përfundimtare.
Vdekja e tij vjen pas një pauze 13 vjeçare në këtë shtet, sepse më parë zyrtarët e burgut nuk ishin në gjendje të blinin ilaçin e nevojshëm për injeksione vdekjeprurëse.
Freddie Owens u dënua me vdekje në vitin 1999, dy vjet pas vrasjes së Graves, pasi u dënua për vrasje, grabitje të armatosur dhe komplot kriminal. Një ditë pasi u shpall fajtor, ai vrau shokun e tij të qelisë në burg.
Avokatët e Owens u përpoqën të ndalonin ekzekutimin e tij disa herë, duke përfshirë dy herë në shtator. Por gjykata refuzoi çdo kërkesë. Në përpjekjen e fundit, avokatët vunë në dukje një deklaratë të nënshkruar nga Golden të mërkurën, e cila pretendonte se Owens ishte i pafajshëm.
Sipas raportimit mbi gjyqin e tij nga gazeta e Karolinës së Jugut, "The State", Owens ishte 19 vjeç kur ai dhe Steve Golden, atëherë 18 vjeç, mbajtën Graves nën kërcënimin e armëve ndërsa përpiqeshin të grabisnin dyqanin ku ajo punonte.
Owens qëlloi dhe vrau Graves pasi ajo nuk arriti të hapte një kasafortë poshtë banakut, sipas dëshmisë së dhënë nga Golden në gjyqin e Owens. Në kohën e vdekjes së saj, Graves ishte një 41-vjeçare beqare nënë e tre fëmijëve.