
Uashington, SHBA – Shtëpia e Bardhë ka rindezur debatin mbi origjinën e COVID-19, duke publikuar në faqen e saj zyrtare një website që tregon se virusi ka dalë nga një laborator në Kinë.
Faqja, me pamje të ngjashme me një poster filmi, mban titullin "Rrjedhja laboratorike", ndërsa në sfond shfaqet një imazh i Presidentit Donald Trump dhe mbishkrimi “Origjina e vërtetë e COVID-19”.
Akuzohen mediat, figura politike, autoritetet shëndetësore dhe imunologu i njohur amerikan Anthony Fauci për mbështetjen e teorisë së prejardhjes natyrore të virusit.
Sipas publikimit, ekzistojnë prova të shumta që mbështesin idenë se virusi i COVID-19 ka rrjedhur nga një laborator në Wuhan, Kinë – një pretendim që vazhdon të mbetet objekt debati mes komunitetit shkencor dhe institucioneve ndërkombëtare.
Edhe pas më shumë se pesë vitesh nga shpërthimi i pandemisë, origjina e saktë e virusit mbetet e pasqaruar.
Faqja kritikon gjithashtu disa nga masat kyçe të menaxhimit të pandemisë, përfshirë distancimin social, mbajtjen e maskave dhe mbylljet e përgjithshme, duke i cilësuar ato si të dëmshme dhe të panevojshme.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është qëndrimi i CIA-s. Drejtori i ri i agjencisë, John Ratcliffe, në Janar ndryshoi qëndrimin zyrtar të CIA-s, duke sugjeruar se pandemia mund të jetë rezultat i një aksidenti laboratorik, dhe jo i përhapjes natyrore të virusit nga kafshët te njerëzit.
Këto deklarata vijnë pas një raporti të prezantuar nga një nën-komision i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së në Dhjetor, i cili gjithashtu mbështet hipotezën e rrjedhjes nga laboratori.