Hapësire reklamuese


Bota

Shqiptari fiton të drejtën të qëndrojë në UK, për të mirën e dy fëmijëve të gruas portugeze (HISTORIA)

Shkruar nga Newsbomb
Shqiptari fiton të drejtën të qëndrojë në UK,
Anëtarë të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (foto AFP)

Një azilkërkues shqiptar të cilit me dhjetëra herë i ishte refuzuar e drejta për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar, sapo ka marrë një lajm të mirë! Sipas Daily Mail mësohet se 27-vjeçari Ramazan Morina sapo ka fituar të drejtën për të jetuar e punuar në Mbretërinë e Bashkuar.

Ky vendim ka ardhur për hir të fëmijëve të bashkëshortes së tij. Mësohet se 27-vjeçari ka një marrëdhënie mjaft të ngushtë me fëmijët nga kurora e parë e gruas së tij.

Ramazan Morina, apeloi me sukses bazuar në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) për të ndaluar Britaninë ta kthente në Shqipëri.

Ky është shembulli i fundit se si KEDNJ pengon përpjekjet për të dëbuar emigrantët e paligjshëm dhe vjen pas rastit të zbuluar nga Daily Mail, ku një pedofil indian shmangu dëbimin duke pretenduar se do të dëmtonte fëmijët e tij.

Zoti Morina kishte hyrë ilegalisht në Britani kur ishte 16 vjeç, duke kërkuar azil pa sukses fillimisht në vitin 2014 dhe përsëri pesë vite më vonë.

Ai qëndroi në Britani dhe në vitin 2021 u martua me Soraia Dias, një shtetase portugeze që jetonte aty. Ajo ka dy fëmijë nga martesa e saj me një rumun, që kishte përfunduar për shkak të akuzave për dhunë në familje.

Ndryshe nga Shqipëria, Rumania dhe Portugalia janë pjesë e BE-së, që do të thotë se qytetarët e tyre kanë të drejtë për qëndrim në Mbretërinë e Bashkuar me kusht që të kenë shkuar para Brexit-it.

Ministria e Brendshme britanike u përpoq ta deportonte z. Morina në Shqipëri, duke thënë se ai po jetonte aty në mënyrë të paligjshme.

Por pasi angazhoi avokatë të specializuar në imigracion, ai nisi apelimin duke u mbështetur në të drejtën për respektimin e jetës private dhe familjare të përfshirë në KEDNJ.

Dhe tani fitoi çështjen pasi punonjësi i pavarur social, Laurence Chester, tha se kishte një "lidhje shumë të ngushtë" me fëmijët e zonjës Dias.

Duke mbështetur apelin e zotit Morina, gjyqtari i emigracionit, Hugo Norton-Taylor, deklaroi se kishte vlerësuar me "rëndësi të madhe" përfundimin e zotit Chester, i cili tha se kthimi i zotit Morina në Shqipëri do të kishte "efekte afatgjata negative" për dy fëmijët.

Megjithëse babai i tyre biologjik vazhdon të luajë një rol "aktiv" në jetët e tyre, ndarja nga zoti Morina do të shkaktonte "dëm emocional të konsiderueshëm", shtoi raporti i zotit Chester.

Kjo do të kishte gjithashtu ndikim tek zonja Dias, e cila po “përballet me vështirësi” nga kjo situatë, shkroi zoti Chester.

Avokatët e Ministrisë së Brendshme argumentuan se nuk kishte arsye që zonja Dias dhe fëmijët e saj të mos zhvendoseshin në Shqipëri me zotin Morina.

Por, seanca e tribunalit të lartë dëgjoi se qëndrimi "i vendosur dhe i menduar mirë" i zonjës Dias ishte që ajo donte të qëndronte në Mbretërinë e Bashkuar pranë familjes së zgjeruar të ish-bashkëshortit të saj.

Gjyqtari arriti në përfundimin se "interesi më i mirë" i fëmijëve "qartazi qëndron në pasjen e të dy prindërve biologjikë në jetët e tyre," si dhe të zotit Morina.

Ai shtoi se babai i tyre rumun kishte refuzuar t’i lejonte ata të largoheshin nga Mbretëria e Bashkuar dhe tha se zonja Dias mund të ndiqej penalisht për rrëmbim të fëmijëve nëse ndiqte zotin Morina në Shqipëri.

Gjithashtu, asnjë nga fëmijët nuk ka pasaportë dhe nuk mund të marrë një të tillë pa pëlqimin e babait të tyre biologjik.

Gjyqtari tha se duke marrë parasysh "rolin aktiv" të zotit Morina në jetët e fëmijëve, dërgimi i tij vetëm në Shqipëri do të ishte "jashtëzakonisht i padrejtë" për ta. Interesi më i mirë i fëmijëve ishte "konsiderata kryesore," shtoi gjyqtari Norton-Taylor.

Marrë nga Daily Mail!

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese