Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, në një parking nëntokësor në rajonin Nussbaumen Aargaut në Zvicër.
Ngjarja ka ndodhur pranë qendrës tregtare Markthof në Nussbaumen. Përveç parkingut nëntokësor dhe bllokut të apartamenteve sipër, është prekur edhe një restorant si dhe gjithashtu një sallon parukerie.
Sipas policisë kantonale të Aargaut, nga shpërthimi janë shënuar të paktën dy viktima dhe njëmbëdhjetë të plagosur. Shumica e të plagosurve kanë pësuar asfiksi nga tymi, dhe janë dërguar në spital për t’ju dhënë ndihmën e parë mjekësore.
Në raportimet e mediave vendase, thuhet se identiteti i viktimave nuk është bërë ende i ditur, ndërsa të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Hetimet për shkakun e zjarrit në parkingun nëntokësor janë duke vazhduar, ndërsa paraprakisht supozohet se ngjarja mund të jetë aksidentale dhe jo i qëllimshëm. Autoritetet shprehen se në këtë garazh ndodheshin mjete të ndryshme dhe një teori është se një makinë elektrike mund të ketë qenë përgjegjëse për shpërthimin, por momentalisht nuk mund të konfirmohet dhe as të mohohet.
Megjithatë, shpërthimi i fuqishëm përpos pasojave në njerëz, ka lënë pas edhe dëme të shumta materiale.