Numri i viktimave nga përmbytjet katastrofike në Spanjë ka arritur në 214. Nga këto, 210 humbën jetën në Valencia, ndërsa 3 në Castile-la-Mancha dhe një në Andaluzi.
Për të ndihmuar të prekurit dhe për të kërkuar personat e zhdukur, të cilët aktualisht llogariten në rreth 1900, qeveria spanjolle ka njoftuar dërgimin e 10,000 ushtarëve dhe forcave policore shtesë në zonën e juglindjes. Numri i viktimave pritet të rritet më tej, ndërsa ekipet e shpëtimit përballen me sfidën e madhe të kërkimit në zona të vështira për shkak të nivelit të lartë të ujërave.
Stuhitë ekstreme kanë thyer rekorde historike për reshje në qytetin e Valencias, ku janë regjistruar 42 litra shi për metër katror brenda vetëm 10 minutave. Rrugët përreth qytetit janë mbuluar nga një shtresë e trashë llumi dhe mijëra makina janë braktisur, duke u shndërruar në mbetje të mbuluara me baltë dhe papastërti.
Për disa zona të Valencias dhe Katalonjës, paralajmërimet e verdha dhe portokalli mbeten në fuqi gjatë fundjavës, ndërsa ekipet e emergjencës vazhdojnë përpjekjet për të parandaluar dëme të mëtejshme dhe për të ndihmuar banorët në nevojë.