Departamenti i Thesarit të SHBA-së ka njoftuar se ka vendosur sanksione të reja kundër Iranit. Në një komunikatë për media, ajo ka bërë të ditur se sanksionet kanë përfshirë kryesisht komapanitë iraniane të prodhimit të dronëve.
Sanksionet amerikane janë vendosur kundër 16 individëve dhe dy subjekteve, të lidhur me prodhimin e dronëve të Iranit, përfshirë prodhimin e motorëve të dronit Shahed të Iranit, i cili u përdor për ta sulmuar Izraelin më 13 prill.
Thesari theksoi se do të vendoste sanksione edhe kundër pesë kompanive në juridiksione të shumta, të cilat i ofrojnë kompanisë së Iranit, Khuezetan Steel Company, materiale përbërëse për prodhimin e çelikut.
Gjithashtu pjesë e këtyre sanksioneve, janë edhe filialet e prodhuesit iranian të automjeteve, Bahman Group, për të cilin thuhet se i kanë mbështetur materialisht Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit.
Ndërkohë që bëhet e ditur se kundër organizatave ushtarake iraniane janë vendosur sanksione edhe nga Britania e Madhe.
Vendimi për të vendosur sanksione ndaj Iranit, vjen pas një takimi të ministrave të Financave dhe guvernatorëve të bankave qendrore të vendeve të industrializuara, G7. Në mbledhjen e zhvilluar një ditë më parë, vendet e G7-ës thanë se do të bashkëpunonin ngushtësisht për marrjen e masave për të rrënuar aftësitë e Iranit për sigurimin, prodhimin apo transferimin e armëve për mbështetjen e veprimeve përshkallëzuese në rajon.
Liderët e Bashkimit Evropian vendosën gjithashtu që t’i rrisin sanksionet kundër Iranit, pas sulmit të tij kundër Izraelit, i cili ka shkaktuar shqetësime për shpërthimin e një konflikti të gjerë në Lindjen e Mesme.
Irani zhvilloi një ofensivë me dronë luftarakë ndaj Izraelit si shenjë hakmarrje për sulmin izraelit në konsullatën iraniane në Damask të Sirisë. Pas paralajmërimeve nga liderët botërorë për qetësim të situatës, duket sikur Izraeli u tërhoq për të mos vepruar, por ndërkohë nga ana tjetër ato kanë pohuar se do të reagojnë kundër sulmit iranian të 13 prillit, ndërsa nuk kanë bërë të ditur mënyrën se si.