Hapësire reklamuese

Bota

SHBA paralajmëron: Një ofensivë e Izraelit në Liban mund të çojë në zgjerim të luftës

Shkruar nga Newsbomb
SHBA paralajmëron: Një ofensivë e Izraelit në Liban mund
Tymi nga bombardimet izraelite të fshatit Khiam, në pjesën jugore të Libanit

Zyrtarë të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian po paralajmërojnë mbi mundësinë e zgjerimit të luftës në Gazë, nëse Izraeli kryen ofenisvë në Liban kundër grupit militant Hezbollah që mbështetet nga Irani.

Shefi për Politikën e Jashtme të Bashkimit Europian Josep Borrel u tha të hënën gazetarëve në Luksemburg se rreziku për përshkallëzim të luftës po shtohet çdo ditë.

“Mendoj, me keqardhje, se jem në prag të zgjerimit të luftës”, tha ai.

Ai shtoi se armëpushimi në Gazë është dëshpërimisht i nevojshëm për të bërë të mundur dërgimin e ndihmave humanitare duke thënë se “aktualisht shpërdarja e ndihmës humanitare brenda Gazës është bërë e pamundur”.

Komentet e zotit Borrel erdhën disa orë pasi Shefi i Shtatmadhorisë amerikane, paralajmëroi se një ofensivë e mundshme ushtarake e Izraelit në Liban mund të nxisë përgjigjen e Iranit, për të ndihmuar grupin militant Hezbollah.

Netanyahu: Nuk jam i gatshëm t’i jap fund luftës dhe ta lë Hamasin të paprekur

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu thotë se është i gatshëm të miratojë pjesërisht propozimin për një armëpushim në Gazë, duke i dhënë goditjen e radhës planit amerikan. Zoti Netanyahu i bëri këto komente ndërkohë që Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant po qëndron në Uashington, mes rritjes së tensioneve ndërmjet Izraelit dhe grupit militant Hezbollah, të mbështetur nga Irani, që vepron në Liban. Zyrtarë ushtarakë amerikanë dhe diplomatë evropianë kanë shprehur shqetësim për zgjerimin e konfliktit në Lindjen e Mesme.

Në komentet e bëra gjatë një interviste të dielën në mbrëmje në një televizion izraelit, Kryeministri Netanyahu tha se është i gatshëm të bëjë një marrëveshje të pjesshme, që do të siguronte lirimin e 120 pengjeve që ende po mbahen në Rripin e Gazës, por jo t’i japë fund luftës.

“Jo. Nuk jam i gatshëm t’i jap fund luftës dhe ta lë Hamasin të paprekur. Jam i gatshëm të bëj një marrëveshje të pjesshme – ky nuk është sekret – për të kthyer disa nga njerëzit tanë, por jemi të përkushtuar të vazhdojmë luftën pas pauzës, por të përmbushur qëllimin tonë për ta shkatërruar Hamasin. Nuk jam i gatshëm të heq dorë nga ky qëllim”, deklaroi zoti Netanyahu.

Gjatë intervistës me televizionin izraelit Kanali 14, kryeministri Netanyahu tha se faza e tanishme e luftës kundër Hamasit në Gazë është afër përmbylljes dhe la të kuptohet se Izraeli po bëhet gati për të dërguar më shumë trupa në kufirin verior për t’u përballur me grupin militant Hezbollah në Liban.

“Fillimisht do ta bëjmë këtë me qëllim mbrojtjeje, së dyti për t’i kthyer banorët tanë nëpër shtëpitë e tyre dhe nëse mundemi do ta arrijmë këtë qëllim me mjete politike; nëse jo, do ta bëjmë me mjete tjera”, tha ai.

Bombardimet në dy anët e kufirit ndërmjet Izraelit dhe Libanit vazhduan gjatë fundjavës, krahas kërcënimeve nga zyrtarët izraelitë se kanë miratuar planet për një ofensivë ushtarake në Liban.

Shefi i Shtatmadhorisë amerikane, Gjenerali CQ Brown paralajmëroi se një ofensivë e mundshme ushtarake e Izraelit në Liban mund të nxisë përgjigjen e Iranit, për të mbrojtur grupin militant Hezbollah dhe do të shkaktonte një luftë më të gjerë që do t’i rrezikonte trupat amerikane në rajon.

Gjenerali Brown u tha gazetarëve se Shtetet e Bashkuara nuk do të mund ta mbrojnë Izraelin ndaj një lufte më të zgjeruar me Hezbollahun si arritën ta ndihmonin për të shkatërruar në ajër raketat e Iranit gjatë sulmit në muajin prill. Sipas tij, forcat amerikane e kanë më të vështirë ta mbrojnë Izraelin nga raketat me rreze të shkurtër veprimi, me të cilat grupi Hezbollah sulmon shpesh zonën kufitare izraelite.

Përshkallëzimi i konfliktit me Hezbollahun pritet të jetë temë bisedimesh gjatë vizitës që po zhvillon në Uashington Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant, ku do të takohet me zyrtarë të lartë amerikanë.

Në një deklaratë paraprake, Ministri Gallant theksoi se Izraeli është i përgatitur të veprojë në Gazë, Liban dhe pjesë tjera.

Ngjashëm me zyrtarët amerikanë, edhe diplomatët evropianë, që po takohen sot në Luksemburg, paralajmëruan kundër zgjerimit të konfliktit.

“Jam më se i shqetësuar. Çdo ditë kriza po zgjerohet, çdo ditë ka bombardime të shpeshta ndërmjet dyja palëve përgjatë kufirit me Libanin. Fatkeqësisht, mendoj se jemi në prag të zgjerimit të luftës", tha Përfaqësuesi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Josep Borrell.

Ai gjithashtu bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Gazë për të lejuar futjen e ndihmave humanitare ndërkohë që sulmet izraelite po vazhdojnë, duke e çuar në 37,400 numrin e viktimave, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së udhëhequr nga Hamasi, që nuk bën dallimin ndërmjet civilëve dhe militantëve të vrarë.

Të hënën numrit të viktimave iu shtuan edhe katër palestinezë të vrarë nga një sulm me tank izraelit në kampin e refugjatëve Bureij./ VOA

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese