
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë tërhequr zyrtarisht nga grupi ndërkombëtar i ngritur posaçërisht për hetimin e liderëve rusë që kanë kryer krime lufte në Ukrainë.
Ky lajm është konfirmuar nga Bashkimi Europian teksa kanë marrë një email drejtuar Agjencisë së Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Drejtësi Penale (Eurojust), ku autoritetet amerikane kanë informuar se nuk do të vazhdojnë më përfshirjen e tyre në Qendrën Ndërkombëtare për Ndjekjen e Krimit të Agresionit kundër Ukrainës (ICPA), që është e bazuar në Hagë.
Qendra Ndërkombëtare për Ndjekjen e Krimit të Agresionit kundër Ukrainës me bazë në Hagë është një qendër gjyqësore që mbështet hetimet kombëtare për krimin e agresionit të kryer nga udhëheqja ruse, përfshirë presidentin Vladimir Putin, dhe aleatët e Moskës kundër Ukrainës.