
Administrata amerikane ka abstenuar nga vendosja e sanksioneve të reja ndaj Rusisë për konfliktin në Ukrainë, duke besuar se një veprim i tillë do të rrezikonte negociatat dhe do të zgjaste armiqësitë, ka thënë Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.
Duke folur për Meet the Press të NBC News të dielën, Rubio vuri në dyshim dobinë e vendosjes së kufizimeve të reja ndaj Moskës, duke thënë se Uashingtoni “shpresonte të shihte” nëse diplomacia do të funksiononte së pari.
“Në momentin që filloni të bëni gjëra të tilla, po largoheni prej saj, e keni dënuar veten me dy vite të tjera luftë dhe ne nuk duam ta shohim këtë të ndodhë”, tha kryediplomati.
Rubio pohoi se SHBA-ja është i vetmi vend ose institucion që flet si me Kievin ashtu edhe me Moskën, dhe vetëm presidenti i SHBA Donald Trump ka potencialin për të sjellë palët ndërluftuese në tryezën e bisedimeve.
Java e ardhshme pritet të jetë “shumë kritike” për Shtëpinë e Bardhë në lidhje me bisedimet, pasi administrata po përpiqet të marrë një “përcaktim nëse kjo është një përpjekje në të cilën ne duam të vazhdojmë të përfshihemi”. Ndërsa Uashingtoni nuk dëshiron të largohet, ai nuk dëshiron të “shpenzojë kohë për diçka që nuk do të na çojë atje”, shpjegoi sekretari.
“Ka arsye për të qenë optimistë, por ka arsye për të qenë realist. Jemi afër, por nuk jemi mjaft afër,” tha ai.
Vërejtjet e sekretarit amerikan të shtetit vijnë një ditë pasi Trump kërcënoi Moskën me sanksione të reja lidhur me konfliktin, duke akuzuar udhëheqjen ruse për përpjekje për të zvarritur armiqësitë dhe për “gjuajtje raketash” në Ukrainë pa “arsye” gjatë ditëve të fundit.