Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka kërkuar pjesëmarrjen e SHBA-së në Samitin e Paqes që do të mbahet në Zvicër në mesin e muajit qershor.
Sipas BBC, Zelensky i është drejtuar me një kërkesë zyrtare Presidentit Joe Biden, ku i evidenton se si aleat kryesor i Ukrainës duhet që të marrë pjesë në këtë samit, ndërsa shton se mungesa e tij do të duartrokitej nga Putini.
Ndërkohë sipas raportimeve nga mediat amerikane mendohet se Presidenti Biden dhe Zëvendës Presidentja Kamala Harris do të humbasin samitin, mungesë kjo e cila do të ishte një goditje e madhe për Ukrainën. Uashingtoni thotë se e mbështet takimin, por nuk është zotuar ende të dërgojë një delegacion të nivelit të lartë, raporton BBC.
Qeveria zvicerane ka ftuar më shumë se 160 vende dhe thotë se qëllimi i samitit është të sigurojë një forum ku liderët botërorë diskutojnë shtigjet drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë, bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e OKB-së.
Nga ana tjetër pengesat janë të dukshme në rrugën e suksesit të samitit, ndër to për vetë faktin që vendi i cili filloi luftën, pra Rusia, nuk do të jetë e pranishme.
Rusia është e zemëruar me Zvicrën për vendosjen e sanksioneve teksa u pezulluan gjithashtu edhe fluturimet direkte për në Rusi. Në fund të vitit të kaluar, këto hapa e shtynë Genadi Gatilovin, ambasadorin e Rusisë në Kombet e Bashkuara, të bëntë një deklaratë për mediat ku iu drejtohej gazetarëve të Gjenevës duke argumentuar se Zvicra kishte braktisur neutralitetin e saj dhe për këtë arsye nuk ishte më një vend i përshtatshëm për bisedimet e paqes.
Qeveria zvicerane deklaroi se rreth 70 vende kanë rënë dakord deri më tani të marrin pjesë, por Presidenti Zelensky, thotë se shifra tani është rreth 90 ku përfshihet presidenti Emmanuel Macron i Francës dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz, si dhe shtetet afrikane dhe të Lindjes së Mesme.
Pra, cili është rezultati i mundshëm? Në një përpjekje për të minimizuar pritjet, presidentja zvicerane Viola Amherd ka thënë se nuk ka asnjë garanci se samiti do të jetë një sukses dhe se ai nuk do të rezultojë menjëherë në një marrëveshje paqeje.
Axhenda e plotë ende nuk është publikuar, por Presidenti Zelensky ka thënë se duhet të diskutohet shkëmbimi i të burgosurve politikë, siguria e centraleve bërthamore dhe kthimi i fëmijëve të rrëmbyer. Nuk është e qartë nëse tërheqja e plotë e trupave ruse nga territori ukrainas, kërkesa kryesore e Kievit për ndonjë marrëveshje paqeje, do të trajtohet.