Presidenti francez, Emmanuel Macron, pritet t'i drejtohet sot në mbrëmje kombit pas rënies së qeverisë së pakicës të kryeministrit Michel Barnier.
Fjalimi vjen në një moment kur Franca po kalon nëpër një periudhë të vështirë me kriza të thella politike, ekonomike dhe diplomatike, duke mbetur pa një qeveri të qëndrueshme.
Barnier, i cili ka qëndruar vetëm tre muaj në detyrë, pritet të dorëhiqet në orën 10:00 të mëngjesit, duke shënuar fundin e mandatit më të shkurtër të një kryeministri në historinë moderne franceze.
Administrata e tij u rrëzua dje pas një mocioni mosbesimi të mbështetur nga ligjvënës të opozitës nga e majta dhe e djathta ekstreme, pas mosmarrëveshjeve mbi buxhetin shtrëngues që ai propozoi.
Sipas kushtetutës së Francës, zgjedhjet e reja parlamentare mund të zhvillohen vetëm një vit pas atyre të fundit, të mbajtura në korrik. Macron mund të kërkojë që Barnier të qëndrojë në një rol kujdestar, por sipas raporteve të mediave, presidenti ka planifikuar të emërojë një kryeministër të ri në një të ardhme të afërt.