
Që nga e premtja, Venecia do të rikthejë tarifën e hyrjes për vizitorët ditorë me një ndryshim të rëndësishëm këtë vit për turistët që e blejnë biletën në minutën e fundit do të paguajnë dyfish.
Vitin e kaluar, u vendosën tarifa si pjesë e një eksperimentimi për të kufizuar fluksin e vizitorëve ditorë gjatë periudhave më të ngarkuara, me qëllim mbrojtjen e qytetit dhe trashëgimisë së tij kulturore.
Venecia është qyteti i parë i madh turistik në botë që aplikon një tarifë hyrjeje për të ndihmuar në menaxhimin e fluksit.
Edhe pse kjo masë pati ndikim të kufizuar në numrin e turistëve, ajo arriti të mbledhë 2.4 milionë euro për buxhetin e qytetit, një shumë më e lartë se sa pritej. Autoritetet lokale besojnë se kjo politikë do të japë rezultate më afatgjata për mbrojtjen e qytetit të shpallur Trashëgimi Botërore nga UNESCO.
Këtë vit, tarifa mbetet 5 euro nëse rezervohet paraprakisht online, por do të dyfishohet në 10 euro për ata që e blejnë biletën brenda tre ditëve para mbërritjes. Pagesa do të zbatohet çdo ditë nga ora 08:30 deri në 16:00 me orën lokale.
Turistët që kanë rezervuar një ose më shumë netë në qytet janë të përjashtuar nga pagesa, por gjithsesi duhet të regjistrojnë praninë e tyre në faqen zyrtare të qytetit.
Sipas mediave italiane, mbi 35,000 udhëtarë ditorë kanë rezervuar tashmë biletën e tyre.