Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit tha se lëshoi dhjetëra dronë dhe raketa në drejtim të Izraelit, natën mes 13 dhe 14 prillit.
Operacioni që ngriti shqetësime për përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme, u zhvillua pas një sulmi në konsullatën e Iranit në Siri, më 1 prill, kur u vranë shtatë oficerë ushtarakë.
Ndonëse Irani e akuzoi Izraelin për kryerjen e këtij sulmi, ky i fundit as nuk e konfirmoi, as nuk e mohoi.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se vendi i tij “është gati për çdo skenar”.
“Në vitet e fundit, e sidomos në javët e fundit, Izraeli është përgatitur për një sulm të drejtpërdrejtë nga Irani. Shteti i Izraelit është i fortë”, tha ai.
“Ne vlerësojmë qëndrimin e SHBA-së përkrah Izraelit, si dhe mbështetjen e Britanisë, Francës dhe shumë vendeve të tjera. Ne kemi përcaktuar një parim të qartë: këdo që na dëmton, ne do ta dëmtojmë”, shtoi kryeministri izraelit.
Misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara tha se operacioni ushtarak i Iranit ishte “në përgjigje të agresionit të regjimit zionist kundër objekteve tona diplomatike në Damask” dhe shtoi se ai “mund të konsiderohet i përfunduar”.
“Megjithatë, nëse regjimi izraelit bën ndonjë gabim tjetër, përgjigjja e Iranit do të jetë dukshëm më e ashpër. Është një konflikt mes Iranit dhe regjimit mashtrues izraelit, nga i cili SHBA-ja duhet të qëndrojë larg”, shkroi misioni i përhershëm i Iranit në OKB në platformën X.
Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se ka zhvilluar një takim me ekipin e tij të sigurisë kombëtare dhe u zotua se SHBA-ja do ta mbështesë fuqishëm Izraelin.
“Përkushtimi ynë për sigurinë e Izraelit kundër kërcënimeve nga Irani dhe grupet e tij është i hekurt”, tha Biden.
Bota duhet të sigurohet se “Izraeli nuk është vetëm”, tha kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Mike Johnson.
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se e dënon ashpër sulmin e Iranit dhe bëri thirrje për ndërprerje të menjëhershme të armiqësive.
“Jam thellësisht i shqetësuar për rrezikun shumë real të përshkallëzimit shkatërrues të situatës në gjithë rajonin”, tha Guterres.
“Unë e kam theksuar vazhdimisht se as rajoni dhe as bota nuk mund të përballojnë një luftë tjetër”, kujtoi ai.
Kryeministri britanik, Rishi Sunak, tha se sulmet e Iranit rrezikojnë t’i ndezin tensionet dhe ta destabilizojnë rajonin.
“Irani ka dëshmuar edhe një herë se do të shkaktojë kaos në oborrin e tij”, tha ai.
“Bashkë me aleatët, ne po punojmë urgjentisht për ta stabilizuar situatën dhe për ta parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm. Askush nuk dëshiron të shohë më shumë gjakderdhje”, tha kryeministri britanik.
Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, tha se mbështet “të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten dhe popullin e tij nga këto sulme”.
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, e konsideroi sulmin e Iranit si një “përshkallëzim të paprecedentë” dhe një “kërcënim të rëndë për sigurinë rajonale”.
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha se e dënon fuqishëm sulmin e Iranit, i cili “mund ta zhysë të gjithë rajonin në kaos”.
“Situatë shumë shqetësuese në Lindjen e Mesme”, tha kryeministri holandez, Mark Rutte.
“Holanda i dënon ashpër sulmet e Iranit ndaj Izraelit. Përshkallëzimi i mëtejshëm i situatës duhet të parandalohet”, tha ai.
“Roli destabilizues i Iranit në Lindjen e Mesme është i papranueshëm, e po ashtu edhe ky sulm”, tha ministri i Jashtëm danez, Lars Lokke Rasmussen.
“Sjellja agresive e Iranit po e pengon rajonin e Lindjes së Mesme të jetojë në paqe dhe siguri”, sipas Ministrisë së Jashtme çeke.
Presidenti i Argjentinës, Javier Milei, tha se shpreh “solidaritet dhe përkushtim të palëkundur ndaj shtetit të Izraelit”.
Ngjashëm edhe presidenti i Paraguajt, Santiago Pena. “Në momente të tilla të vështira, ne shprehim mbështetjen tonë të plotë për popullin e Izraelit dhe jemi të shqetësuar për rritjen e dhunës në rajon”, tha ai.
Ministri i Jashtëm i Kilit, Alberto Van Klaveren, tha se shpreh shqetësim për tensionet e përshkallëzuara në Lindjen e Mesme dhe për sulmet e Iranit kundër Izraelit.
Ministria e Jashtme e Meksikës bëri thirrje, po ashtu, për përmbajtje dhe kërkoi gjetjen e një zgjidhjeje “për të shmangur një konflikt më të përgjithshëm në Lindjen e Mesme”.