
Një ngjarje e rëndë raportohet të ketë ndodhur në Azerbajxhanin Lindor ku helikopteri me të cilin po udhëtonte presidenti Ebrahim Raisi thuhet se është rrëzuar për shkak të motit të keq.
Informacionet e deri tanishme janë kontradiktore, pasi disa prej mediave vendase thonë se ka qenë një aksident dhe disa të tjerë raportojnë se kemi të bëjmë me një ulje emergjente. Ndërkohë, Tv izraelit “Channel 12” referuar burimeve diplomatike thonë se Raisi mund të ketë vdekur.
“Nuk është ende e qartë se çfarë ndodhi me helikopterin e presidentit iranian, por burime diplomatike në Perëndim vlerësojnë se Raisi nuk i mbijetoi rrëzimit”, raporton Channel 12.
E teksa ende nuk dihet fati i liderit, ministrit të Jashtëm Hossein Amir Abdollahian si dhe disa zyrtarëve të tjerë të cilët ndodheshin në bordin e helikopterit në llogarinë zyrtare të Ebrahim Raisi është bërë një postim, ku i kërkohet qytetarëve që të luten për ta.
“I lusim të gjithë bashkatdhetarët që të luten për shëndetin e presidentit dhe shoqëruesve të tij”.shkruhej në llogarinë zyrtare në Instagram

20 ekipe shpëtimi dhe dronë janë dërguar në zonën ku u rrëzua helikopteri, mirëpo deri tani nuk ka asnjë gjurmë nga presidenti iranian. Sakaq, bëhet me dije se tre punonjës të shpëtim kërkimit të helikopterit janë zhdukur. Një nga zëdhënësit e Gjysmëhënës së Kuqe theksoi se ekipet e kërkimit janë afër vendit ku mund të jetë rrëzuar helikopteri, teksa shton se operacioni i kërkimit mund të ngadalësohet pasi morti pritet të jetë “shumë i ftohtë”.

Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe presidenti i Azerbajxhanit, Ilhan Aliyev, i cili ishte i fundit që u takua me presidentin iranian para se të ndodhte aksidenti. I shqetësuar për këtë lajm, Aliyev thotë se Azerbajxhani është i gatshëm të ofrojë çdo ndihmë të nevojshme.
Aliyev ishte me presidentin iranian më herët sot për të hapur dy diga rreth kufirit Iran-Azerbajxhan.

"Sot, pasi i dhamë lamtumirën miqësore Presidentit të Republikës Islamike të Iranit, Ebrahim Raisi, ne u shqetësuam thellësisht nga lajmi i një helikopteri që mbante delegacionin e lartë duke u ulur në Iran. Lutjet tona drejtuar Allahut të Madhëruar janë me Presidentin Ebrahim Raisi dhe delegacionin që e shoqëron”, shkruan ai në rrjetet sociale.

Ajo që dimë deri tani:
Një helikopter që transportonte presidentin Ebrahim Raisi është rrëzuar për shkak të motit të keq.
-Sipas mediave lokale, Raisi po shkonte për në qytetin e Tabrizit, në veriperëndim të Iranit, pasi u kthye nga kufiri me Azerbajxhanin, ku hapi digat Qiz Qalasi dhe Khodaafarin.
-Helikopteri ishte një nga tre që udhëtonin në një kolonë.
-Ministri i Brendshëm i Iranit thotë se ekipet e shpëtimit janë ende duke u përpjekur për të arritur në vend.
-Ahmad Alirezabeigi, një deputet iranian për qytetin e Tabrizit, thotë se punonjësit e shpëtimit nuk e kanë gjetur ende vendndodhjen e helikopterit. Ai thotë se dy helikopterë të tjerë në kolonë u ulën të sigurt.

63-vjeçari Raisi u zgjodh në postin e presidentit në vitin 2021 pas një përpjekje të dytë. Që nga marrja e detyrës, ai ka urdhëruar një shtrëngim të ligjeve të moralit dhe shtypjen e përgjakshme të protestave antiqeveritare. Ai ka bërë përpjekje të forta në rrafshin ndërkombëtar lidhur me aspiratat bërthamore të Teheranit.
Në bazë të sistemit politik iranian, i ndarë mes strukturës klerike dhe qeverisë, fjala e fundit për çështje madhore i takon udhëheqësit suprem të vendit dhe jo presidentit.
Por Presidenti Raisi shihet si një pretendent i fortë për të pasuar mentorin e tij, udhëheqësin suprem Ayatollah Ali Khamenei, i cili ka mbështetur fuqishëm politikat kryesore të Raisit.
Çfarë ndodh nëse Presidenti ka vdekur?
Sipas ligjit iranian, në rast të vdekjes së papritur të presidentit, roli i tij plotësohet përkohësisht nga zëvendëspresidenti i parë , i cili aktualisht është Mohammad Mokhber, me pëlqimin paraprak të liderit suprem, Ali Khamenei.
Megjithatë, brenda 50 ditëve, vendi duhet të shkojë në zgjedhje për të zgjedhur një president të ri.