Qeveria izraelite ka votuar unanimisht mbylljen e të gjitha aktiviteteve të rrjetit mediatik “Al Jazeera”, në territorin e saj. Lajmin për mbylljen e zyrave lokale të transmetuesit televiziv në pronësi të Katarit, Al Jazeera, e bëri të ditur kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.
Por, detajet e ndikimit që do të ketë ky vendim ndaj Al Jazeeras, nuk janë ende të qarta. Po ashtu ende nuk dihet se kur do të hyjë në fuqi vendimi dhe nëse është i përhershëm apo i përkohshëm.
Nga ana tjetër kreu i Al Jazeera në Izrael dhe Territoret Palestineze e quajti vendimin e qeverisë për të mbyllur operacionet lokale të stacionit në pronësi të Katarit "të rrezikshëm" sepse ishte i motivuar politikisht dhe jo profesionalisht.
Një korrespondent i Al Jazeeras në shërbimin arab tha se ky urdhër do të ndikojë tek operacionet e transmetuesit në Izrael dhe në Jerusalemin Lindor, prej ku kishte transmetuar drejtpërdrejtë programe që nga 7 tetor, kur nisi lufta mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Korrespondenti tha se vendimi i Qeverisë izraelite nuk do të ketë ndikim në operacionet e Al Jazeeras në territoret palestineze.
Mediat izraelite thanë se vendimi në kabinetit qeverisës do t’i mundësojë Izraelit që të bllokojë Al Jazeeran që të operojë në shtet për 45 ditë, sipas vendimit.