Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka deklaruar se ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajonin e Kharkivit në Ukrainë, nënkupton se ato po kërkojnë përshkallëzim të situatës së luftës.
Sipas Putin, përshkallëzimi i luftës me Ukrainën do të ketë pasoja serioze që do të prekin edhe Evropën, ndërsa shton se kjo është e nxitur nga SHBA pasi duket se ato po kërkojnë konflikt global.
“Në përgjithësi ky përshkallëzim do të çojë në pasoja serioze, pasoja që mund të prekin Evropën. Dhe nëse kjo ndodh, si do të sillet SHBA në lidhje me barazinë e armëve strategjike? Vështirë ta thuash. Mua më duket se ata duan konflikt global. Ndoshta duan të negociojn në fushën e armëve strategjike, por nuk kishin dëshirë të madhe për ta bërë”,- tha Putin.
Gjatë fjalës së tij në Uzbekistan, ku ndodhet në kuadër të një vizite shtetërore Putin tha se një ofensivë tokësore po kryhet nga ushtria ruse në rajonin verilindor Kharkiv të Ukrainës, pas sulmeve të Kievit në territorin rus.
Lideri rus, Putin shprehet se këtë ofensivë në rajon e kishte paralajmëruar 6 muaj më parë, pasi nëse ushtria ukrainase do të godasë zonat rezidenciale, forcat ruse do t’i përgjigjen për të krijuar në këtë mënyrë disa zona sigurie.
“Gjërat tashmë sillen rreth asaj që po ndodh në rrethinat e Kharkiv. Ata i provokuan këto evente që të shkonin në këtë drejtim. Gjashtë muaj më parë unë e thashë publikisht se nëse vazhdojnë të godasin zona rezidenciale, ne do të detyrohemi të krijojmë zona sigurie. Këtë kemi bërë së fundmi dhe do të vijojmë”,- u shpreh lideri rus, Putin.
Gjithashtu, Putin shtoi se marrëdhëniet me Talebanët dhe Afganistanin janë në axhendën diplomatike të Rusisë, po ato kanë hasur në probleme gjatë kohëve të fundit.
“Marrëdhëniet me Talibanët dhe Afganistanin janë vazhdimisht në axhendë, aty ka probleme, është e dukshme. Çështja është si të ndërtojmë marrëdhënien me qeverinë aktuale, por është gjë që duhet bërë. Ata janë autoriteti sot në Afganistan dhe ne duhet të nisemi nga realiteti”,- tha Putin.