Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka paralajmëruar se nuk do të qëndrojë i heshtur nëse do të cenohet integriteti territorial i Rusisë. Putin ka thënë se do të furnizojë me armë disa vende, me qëllimin që të fillojnë luftimin në rast se Perëndimi vendos që të sulmojë vendin e tij.
Vendimi i liderit rus vjen pas vendimit të SHBA-së dhe disa vendeve të Evropës për të lejuar Ukrainën që të përdorë resurset ushtarake të dërguara kundër forcave ruse.
Gjithashtu, në qendër të kritikës së tij, ai vendosi Gjermaninë e cila i ka dhënë dritën jeshile Ukrainës që të godasë objektivat në territorin rus me armë me rreze të gjatë të prodhimit gjerman.
“Kur ata thonë se do të ketë më shumë raketa që do të godasin objektivat në territorin rus, kjo shkatërron përfundimisht marrëdhëniet ruso-gjermane”,- theksoi Putin.
Presidenti rus ripohoi gjithashtu gatishmërinë e Moskës për të përdorur armë bërthamore nëse sheh një kërcënim për sovranitetin e saj. Ai theksoi se se veprimet e fundit nga Perëndimi do të minojnë më tej sigurinë ndërkombëtare dhe mund të çojnë në probleme shumë serioze.
“Kjo do të shënonte përfshirjen e tyre të drejtpërdrejtë në luftën kundër Federatës Ruse dhe ne kemi të drejtën të veprojmë në të njëjtën mënyrë”,- u shpeh ai.
I pyetur nëse Rusia mund të përdorë armët bërthamore, Putin tha se kushtet për përdorimin e këtij arsenali janë të përcaktuara qartë në doktrinën e sigurisë së Moskës.
“Për disa arsye, ata besojnë në Perëndim se Rusia nuk do ta përdorë kurrë atë. Shikoni se çfarë është shkruar atje,” tha ai për doktrinën bërthamore të Rusisë. Nëse veprimet e dikujt kërcënojnë sovranitetin dhe integritetin tonë territorial, ne e konsiderojmë të mundur përdorimin e të gjitha mjeteve që kemi në dispozicion”,- përfundoi lideri rus, Putin.