
Policia turke ka arrestuar 37 persona pasi postuan në rrjete sociale statuse që sipas autoriteteve ishin provokuese dhe kishin të bënin me arrestimin e Kryebashkiakut të Stambollit Ekrem Imamoglu.
Mësohet se autoritetet vendase kanë indetifikuar 261 llogari në mediat sociale, duke përfshirë 62 jashtë vendit, me “postime provokuese që nxisin krim dhe urrejtje” pas arrestimit të Imamoglut.
Ndërkohë vijon puna për gjurminin e 105 personave të tjerë që vijojnë këto postime, tha Ministri i Brendshëm i Turqisë Ali Yerlikay, në profilin e tij në platformën X. 24 orë që prej arrestimit të kryebashkiakut të Stambollit janë bërë të paktën 18.6 milionë postime.
Të mërkurën autoritetet Turke njoftuan se kishin kufizuar aksesin në rrjetet sociale në vend dhe gjithashtu kishin ndalur protestat për 4 ditë pas arrestimit të Ekrem Imamoglu.
Megjithatë ky urdhër nuk i ndali mijëra qytetarë që prej mesditës së të mërkurës që të dilnin dhe të protestonin në qytete të ndryshme duke përfshirë këtu Stambollin dhe Ankaranë.
Kryebashkiaku i Stambollit dhe rivali kryesor politik i Presidentit Turk Rexhep Taip Erdogan u arrestua të mërkurën nën akuzat për korrupsion dhe mbështetje të një grupi terrorist. Partia e Imamoglu e ka konsideruar arrestimin e tij si një grusht shteti ndaj atij që sipas tyre do të ishte presidenti i ri i vendit.