
Ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya ka bërë ditën e sotme bilancin e arrestimeve nga protestat e nisura që më datë 19 mars pas arrestimit të bujshëm të kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem İmamoğlu.
Yerlikaya njoftoi se 1,418 persona janë arrestuar që prej datës 19 mars pas shpërthimit të protestave në të gjithë Turqinë, teksa kërkohet lirimi i Ekrem İmamoğlu ndërsa shprehet hapur zemërimi i popullit turk kundër presidentit Rexhep Taip Erdogan.
“Deri më sot, 1,418 të dyshuar janë arrestuar në demonstratat ilegale të mbajtura që nga 19 marsi 2025.
Ndërkohë që aktualisht janë 979 të dyshuar në paraburgim, sot para gjykatës do të dalin 478 persona. Asnjë lëshim nuk do të bëhet për ata që tentojnë të terrorizojnë rrugët, të sulmojnë vlerat tona kombëtare dhe morale dhe ndaj policëve tanë.
Dënoj edhe një herë ata që fyen nënën dhe familjen e ndjerë të Presidentit tonë Recep Tayyip Erdoğan . Forcat tona të sigurisë, me fuqinë që burojnë nga ligji, mbrojnë paqen dhe sigurinë e kombit tonë të dashur 24/7 dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë”, thuhet në deklaratën e ministrit Ali Yerlikaya.