
Situata jashtë gjykatës së Stambollit ka shpërthyer në tension, ku qindra mbështetës të kryebashkiakut Ekrem Imamoglu janë mbledhur për të shprehur solidaritetin me të, duke brohoritur në favor të tij.
Edhe pse autoritetet kanë shpallur një ndalim të tubimeve deri më 27 mars, mbështetësit e Imamoglu kanë vazhduar të qëndrojnë jashtë gjykatës, duke shkelur këtë masë.
Për parandalimin zhvillimeve të rënda të situatës, forcat policore kanë forcuar praninë e tyre, duke mobilizuar 5000 oficerë nga krahinat e tjera të vendit dhe duke përdorur topa uji për të shpërndarë turmën.
Për më tepër, autoritetet kanë ngritur dhjetëra dronë në ajër për të monitoruar situatën nga lart dhe për të garantuar rendin. Pallati i gjykatës është kthyer në një fortesë, pasi forcat e rendit po përpiqen të mbajnë kontroll mbi protestuesit, ndërsa tensionet mbeten të larta.
Kujtojmë se Imamoglu është arrestuar në orët e para të mëngjesit të 19 marsit, pasi dyshohet për korrupsion dhe lidhje me organizata terroriste.
Kryebashkiaku është arrestuar gjatë një kontrolli në shtëpinë e tij, ku ndaj tij dhe personave të tjerë, akuzohen për veprat penale si, organizatë kriminale, zhvatje, ryshfet, mashtrim, manipulim tenderash dhe ndihma e organizatës terroriste PKK/KCK. Shumë qytetarë janë duke bërë protesta masive, pasi arrestimin e tij e quajnë si të pavend.