Presidenti amerikan Joe Biden i ka dhënë leje Ukrainës që të përdorë armët e dërguara nga SHBA për të goditur objektivat në Rusi, por vetëm pranë rajonit të Kharkiv-it, citohet të kenë thënë zyrtarë të lartë për mediat në Amerikë.
“Presidenti kohët e fundit udhëzoi ekipin e tij që të sigurojë që Ukraina të jetë në gjendje të përdorë armët amerikane për qëllime kundërsulmi në Kharkiv, në mënyrë që Ukraina të mund t'i kundërpërgjigjet forcat ruse që i godasin ose përgatiten për t'i goditur ato”, raporton Politico.
Ndërsa politika e SHBA-së për të mos lejuar sulme me rreze të gjatë brenda Rusisë nuk ka ndryshuar, sipas raporteve, Moska ka të ngjarë ta shohë masën e fundit si një përshkallëzim.
Forcat ruse kanë marrë fitore të vogla në rajonin e Kharkivit në javët e fundit pas një ofensive të befasishme në këtë zonë, e vendosur në kufirin me Rusinë. Pritet me interes të shihet se cili do të jetë impakti i lejes së presidentit Biden.
Heqja e kufizimeve shënon një shkëputje nga politika e gjatë dhe vjen në mes të presionit ndërkombëtar në rritje nga aleatët e ngushtë të SHBA. Por ai është i kufizuar në zonën përreth Kharkiv dhe Ukraina nuk ka kërkuar leje përtej kësaj.
Kyiv kërkoi që Uashingtoni të ndryshojë politikën e tij vetëm në javët e fundit pasi forcat ruse kanë bërë përparim. Forcat ruse, depot e municioneve dhe qendrat logjistike tani mund të shënjestrohen me artileri dhe raketa të ofruara nga SHBA përtej kufirit nga Kharkiv në Rusinë perëndimore.
Administrata Biden është gjithashtu e vendosur në mos lejimin e Ukrainës që të përdorë municionin më të frikshëm që i është dhënë për të gjuajtur në Rusi: raketat me rreze të gjatë veprimi të njohur si ATACMS që mund të godasin objektivat 200 milje ose 300 kilometra larg.
Një ditë më parë, edhe liderët kryesorë evropianë sinjalizuan se kishin ndryshuar pozicion.
Duke folur në një konferencë shtypi së bashku me kancelarin gjerman Olaf Scholz të martën, presidenti francez Emmanuel Macron nënvizoi se armët franceze të dërguara në Ukrainë, përfshirë raketat me rreze të gjatë, lejoheshin të synonin bazat brenda Rusisë.