Për herë të parë, Irani po sulmon Izraelin drejtpërdrejt nga territori i tij. Zyrtarët izraelitë kanë konfirmuar se dhjetëra dronë dhe raketa janë lëshuar këtë mbrëmje drejt Izraelit. Pas sulmit që zgjati plot dy orë, si hakmarrje për vrasjen në Damask, zëdhënësi i IDF njoftoi një ndryshim dramatik në direktivat e Komandës së Frontit të Brendshëm dhe më vonë deklaroi se hapësira ajrore do të mbyllet.
Sakaq, kryeministri Benjamin Netanyahu pasi mbërriti në bazën Kirya në Tel Aviv mblodhi menjëherë kabinetin e luftës.
Netanyahu siguroi se: “në vitet e fundit dhe aq më tepër në javët e fundit, Izraeli është përgatitur për mundësinë e një sulmi të drejtpërdrejtë nga Irani. Sistemet tona të mbrojtjes janë të vendosura, ne jemi të përgatitur për çdo skenar, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm. Shteti i Izraelit është i fortë, IDF është e fortë, publiku është i fortë”.
“Ne e vlerësojmë qëndrimin e SHBA-së në krah të Izraelit, si dhe mbështetjen e Britanisë së Madhe, Francës dhe shumë vendeve të tjera. Kam vendosur një parim të qartë, kushdo që na lëndon, ne e lëndojmë atë. Ne do të mbrohemi nga çdo kërcënim dhe këtë do ta bëjmë me gjakftohtësi dhe vendosmëri. E di që edhe ju, qytetarët e Izraelit, po ruani gjakftohtësinë tuaj. Ju bëj thirrje që të dëgjoni direktivat e Komandës së Frontit të Brendshëm”, shtoi Netanyahu.
Zëdhënësi i IDF-së nënkoloneli Daniel Hagari konfirmoi raportet sipas të cilave Irani ka nisur tashmë dronët drejt Izraelit.
"Ne jemi duke monitoruar kërcënimin në hapësirën ajrore. Është një kërcënim që kërkon disa orë për të arritur në territorin e shtetit të Izraelit. IDF dhe Forcat Ajrore po zbatojnë planin e rregullt për të cilin kemi përgatitur", tha Hagari.
Ai shtoi: "Si pjesë e përgatitjeve, shërbimet GPS nuk do të jenë të disponueshme. Ndërprerja është bërë në mënyrë proaktive sipas planit. Nëse zbulojmë kërcënime shtesë, koha e mbërritjes së të cilëve është më e shkurtër, do t'ju informojmë menjëherë. Ju kërkohet të jeni vigjilentë dhe veprojmë në përputhje me direktivat e Komandës së Frontit të Brendshëm Ne e dimë se jemi përballur me këto kërcënime në të kaluarën.
Ai sqaroi se IDF punon në bashkëpunim të ngushtë me SHBA-në dhe partnerët në rajon. Sakaq, Këshilli i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së deklaroi se Presidenti Biden po përditësohet rregullisht mbi situatën dhe se ka kërkuar konsultime urgjente me ekipin e tij të sigurisë kombëtare.