
Bisedimet e para të drejtpërdrejta për paqe midis Rusisë dhe Ukrainës në më shumë se tre vjet zgjatën më pak se dy orë, pa asnjë shenjë të dukshme përparimi deri më tani në ngushtimin e hendekut midis palëve, dhe një burim ukrainas i quajti kërkesat e Moskës "të pabaza", raporton Reauters.
Delegacionet nga palët ndërluftuese u takuan në një pallat në Turqi të premten, takimi i tyre i parë ballë për ballë që nga marsi 2022, muaji pas pushtimit të fqinjit të saj nga Rusia.
Bisedimet e së premtes përmbyllën një javë të ngarkuar të diplomacisë, e nxitur nga përpjekjet e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për ta ndërmjetësuar një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës, e cila ka shkaktuar vrasjen e dhjetëra mijëra ushtarëve nga të dyja palët dhe një numri gjithnjë e më të madh civilësh ukrainas.
Negociatorët rusë dhe ukrainas e filluan takimin e tyre pas orës 13:00, bashkë me zyrtarë nga vendi mikpritës, Turqia. U mbajtën edhe disa takime të ndara, që përfshinë zyrtarë amerikanë, ukrainas, rusë, evropianë dhe turq.
Moska nuk i ka pranuar thirrjet e Ukrainës, vendeve evropiane dhe Shteteve të Bashkuara për një armëpushim të plotë 30-ditor, duke thënë se armëpushimi mund të bëhet vetëm si rrjedhojë e bisedimeve, dhe presidenti rus, Vladimir Putin, hodhi poshtë ftesën e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për t’u takuar ballë për ballë për herë të parë që nga viti 2019.