
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka folur për herë të parë pas kritikave se ai pati një performancë të dobët në debatin presidencial të 26 qershorit, ku u përball me ish-Presidentin Donald Trump.
Biden është shprehur se e gjitha kjo lidhet me lodhjen e tij për shkak të axhendës së ngjeshur të udhëtimeve nëpër botë që kishte pasur kohët e fundit, për të ndjekur nga afër disa nga ngjarjet më të rëndësishme.
“Vendosa të udhëtoj nëpër botë disa herë, duke kaluar rreth 100 zona kohore. Në fakt, unë mendoj se ishte rreth 15 zona kohore. Nuk e dëgjova stafin tim dhe u ktheva dhe gati sa më zuri gjumi në skenë. Ky nuk është një justifikim, por është një shpjegim”,- është shprehur Biden.
Gjatë muajit qershor, Biden pati disa udhtëime në Evropë. Ai ishte i pranishëm në Francë për 80-vjetorin e D-Day, ndërsa u kthye në Evropë disa ditë më vonë për samitin e liderëve të G7, i ndjekur nga një udhëtim në Los Anxhelos për një ngjarje për mbledhjen e fondeve.
Para takimit të tij me Trump në Atlanta, Biden kaloi më shumë se një javë jashtë vëmendjes, duke kaluar kohë në shtëpinë e tij të pushimeve në Delaëare dhe duke u përgatitur për debatin në Camp David.
Performanca katastrofike e Biden shkaktoi një reagim të ashpër në mesin e demokratëve, duke përshkallëzuar shqetësimet në lidhje me aftësinë e tij dhe drejtuesit e anëtarëve të partisë që kërkuan largimin e tij.
Për të adresuar situatën, Biden këtë javë planifikon të takohet me guvernatorët dhe ligjvënësit demokratë, të udhëtojë në dy shtete të fushëbetejës dhe të japë intervistën e tij të parë televizive në një përpjekje për të qetësuar mbështetësit e shqetësuar.