Kryebashkiaku i Stambollit Ekrem Imamoglu vijon të kryesojë përballë kandidatit të partisë AKP të Presidentit Tajip Erdogan në zgjedhjet lokale.
Sipas rezultateve zyrtare të bazuara në numërimin e fletëvotimeve të 41.43% të kutive të votimit që janë hapur, Imamoglu kishte 50% mbështetje krahasuar me 41.26% për rivalin e tij nga AKP-ja, Murat Kurum.
Përpos Stambollit një goditje tjetër partia e Erdogan ka marrë në Ankara, ku kryebashkiaku në detyrë i opozitës Mansur Yavas shpalli fitoren ndaj kundërshtarit të tij të AKP-së.
"Zgjedhjet kanë përfunduar, ne do të vazhdojmë t'i shërbejmë Ankarasë dhe gjashtë milionë banorëve pa diskriminim," premtoi kryebashkiaku i zgjedhur i partisë së CHP-së, teka numërimi vijon ende.
Këto zgjedhje po shihen nga analistët si një barometër i mbështetjes për zotin Erdogan dhe kapitalit politik të opozitës.
Mediat turke po ashtu kanë publikuar rezultatet zyrtare paraprake që tregojnë se forca kryesore e opozitës, Partia Popullore Republikane (CHP) kryeson në qytete të mëdha si Izmiri, Bursa, Antalia dhe Adana.
"Votuesit kanë zgjedhur të ndryshojnë fytyrën e Turqisë pas 22 vitesh qeverisje nga partia islamike-konservatore AKP”, tha këtë mbrëmje lideri i opozitës kryesore, Partia Popullore Republikane.