Rënia e regjimit të diktatorit sirian Bashar al-Assad, paraqet rrezik të mundshëm për rihapje të konfliktit mes Izraelit dhe Sirisë.
Pas luftimeve në fronte të shumta për muaj të tërë, Izraeli tani është i shqetësuar se trazirat në Siri mund të përhapen në territorin e tij. Izraeli gjithashtu e sheh fundin e regjimit të Assad si një shans për të penguar aftësinë e Iranit për të kontrabanduar armë përmes Sirisë për grupin militant libanez Hezbollah.
Ndërkohë ushtria izraelite gjatë fundjavës nisi dërgimin e disa trupave ushtarakë në një zonë të çmilitarizuar mes Izraelit dhe Sirisë, zonë kjo e krijuar si pjesë e një armëpushimi të vitit 1974 midis dy vendeve. Këto masa janë ndërmarrë nga shteti izraelit me idenë e ruajtjes së sigurisë për territorin e tyre.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha të dielën se forcat izraelite po lëviznin për të kontrolluar një zonë të çmilitarizuar prej rreth 400 kilometrash katrorë në territorin sirian. Kjo zonë midis Sirisë dhe Lartësive të Golanit të kontrolluara nga Izraeli, u krijua nga OKB-ja pas luftës së Lindjes së Mesme të vitit 1973. Një forcë e OKB-së prej rreth 1,100 trupash ka patrulluar zonën që atëherë.
Ky veprim është kritikuar ashpër nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) teksa Izraeli është akuzuar për shkelje të paktit të armëpushimit të cilët kanë përfituar nga gjendja aktuale e Sirisë.
Izraeli ende kontrollon Lartësitë e Golanit që i pushtoi nga Siria gjatë luftës së Lindjes së Mesme të vitit 1967 dhe i aneksoi më vonë, një veprim që nuk njihet nga shumica e komunitetit ndërkombëtar.
“Paqeruajtësit UNDOF, informuan homologët izraelitë se këto veprime do të përbënin shkelje të marrëveshjes së armëpushimit të vitit 1974, se nuk duhet të ketë forca ushtarake apo aktivitete në zonën e ndarjes”, tha zëdhënësi OKB, Stephane Dujarric. Ai shtoi se zona neutrale ishte e qetë dhe paqeruajtësit e UNDOF po qëndrojnë në pozicionet e tyre.