Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Vietnam ditën e sotme, për t’u takuar me homologun vietnamez To Lam në Hanoi.
Një ditë më parë, lideri rus ishte në Korenë e Veriut, teksa u prit në një ceremoni madhështore nga lideri Kim Jong Un.
Putin duket se po ndërmerr hapa për të forcuar marrëdhëniet me vendet lindore, që kanë një frymë diktatoriale, ndërsa po përballet me sanksione nga Perëndimi për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Rusia nënshkroi një sërë marrëveshjesh me Vietnamin gjatë vizitës shtetërore të Presidentit Vladimir Putin në Hanoi. Të dy vendet nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi në arsim, shkencë, teknologji, si dhe kërkimin e naftës dhe gazit. Vizita është kritikuar ashpër nga Shtetet e Bashkuara.
“Rusia i kushton rëndësi të madhe forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve strategjike tradicionalisht miqësore ruso-vietnameze. Këto marrëdhënie vazhdojnë të zhvillohen në frymën e barazisë, respektit dhe interesave të ndërsjellë”,- tha Presidenti Putin.
Lidhjet e Vietnamit me Rusinë janë të ngushta dhe datojnë shumë dekada, në mbështetjen jetike ushtarake, ekonomike dhe diplomatike të dhënë nga Bashkimi Sovjetik për shtetin e ri komunist në Vietnamin e Veriut në vitet 1950.
Vietnami e ka përshkruar marrëdhënien e tyre si të mbushur me besnikëri dhe mirënjohje.