
Ish- mjeku i Shtëpisë së Bardhë, Ronny Jackson ka deklaruar se Presidenti Biden ka të ngjarë të vuajë nga një "sëmundje njohëse" dhe jo vetëm që duhet të largohet nga gara presidenciale, por duhet të japë dorëheqjen menjëherë.
Sipas Jackson, performaca katastrofike e tij në debatin publik me ish-Presidentin Donald Trump tregon se ai ka mungesë të theksuar stabiliteti të gjendjes mendore, ndërsa shton se kjo është një çështje e sigurisë kombëtare dhe ai duhet të largohet menjëherë nga Presidenca.
“Kjo është një çështje e sigurisë kombëtare. Si një amerikan, unë mendoj se ai duhet të tërhiqet dhe ai duhet të hiqet menjëherë nga detyra",- tha ish- mjeku i Shtëpisë së Bardhë, Ronny Jackson.
Jackson vijon më tej duke thënë se performanca konfuze dhe e ndalur e Biden gjatë debatit ishte dëshmi e qartë se ai po vuan nga më shumë se thjesht plakje normale.
“Ka një kusht. Nuk e di se çfarë është. Unë nuk do t'i bëj një diagnozë. Është më shumë se mosha. Është një lloj sëmundjeje njohëse. Nuk e di nëse është Parkinson apo Alzheimer, nuk e di se çfarë është. Ka shumë sëmundje të tjera, kur njerëzit plaken të cilat mund të shkaktojnë rënie të niveleve njohëse”,- u shpreh Jackson.
Ish-mjeku, Ronny Jackson më parë i bëri thirrje Bidenit të bënte një test njohës, diçka që Biden nuk e ka bërë si president.
“Nuk do të më dëgjoni më të flas për testet njohëse. Ai pati një natë prove të enjten para miliona shikuesve dhe dështoi keq”,- tha Jackson.
Jackson tha se nëse Biden nuk largohet me dëshirën e tij, sekretarët e kabinetit të tij duhet të konsiderojnë thirrjen e amendamentit të 25-të, i cili lejon presidentin të shkarkohet nëse ata e konsiderojnë atë të paaftë të kryejë kompetencat dhe detyrat e zyrës së tij dhe të zëvendësohet nga zv. presidenti.
Biden dhe Trump, respektivisht në moshën 81 dhe 78 vjeç, janë dy kandidatët më të vjetër për të kandiduar për president dhe çështja e kapaciteteve të tyre mendore ka dominuar titujt e lajmeve për muaj të tërë dhe ishte një pyetje qendrore nga moderatorët e debatit të CNN.
“Kam bërë dy teste, teste njohëse, i kam pranuar, të dyja siç e dini. Ne i bëmë publike. Biden nuk mori asnjë. Do të doja ta shihja atë të merrte një”,- tha Trump të enjten, ndërsa Biden e shikonte me një pamje të hutuar.
Ndërkohë në kahun tjetër, Jackson shprehet se ai kurrë nuk identifikoi ndonjë problem njohës me ish-presidentin Donald Trump.
“Çdokush mund të ulet dhe të flasë me Trump për orë të tëra; ai është shumë i mprehtë, ka një kujtesë të jashtëzakonshme. Nuk ka pasur asnjë ndryshim në aftësitë e tij njohëse që kur e kam njohur,”- tha Jackson.
Para se të hynte në politikë, ku aktualisht mban pozicionin e deputetit të Teksasit, Jackson shërbeu si mjek personal i Obamës midis viteve 2013 dhe 2016. Gjithashtu, ai ndoqi më pas edhe Trump midis viteve 2016 dhe 2018.
Performanca e lëkundur e presidentit në debat nxiti një valë pyetjesh të reja nga aleatët e ngushtë nëse ai duhet të vazhdojë të kërkojë rizgjedhjen.
Ekipi Biden është zotuar të qëndrojë në garë dhe tashmë ka këmbëngulur se do të vazhdojë me debatin e planifikuar të shtatorit të sponsorizuar nga ABC.