Kulla Eiffel ishte skena e një shfaqjeje makabre të shtunën e 1 qershorit, pasi pesë arkivole të mbuluara me një flamur që mbante mbishkrimin "Ushtarët francezë të Ukrainës" u vendosën në këmbët e monumentit.
Sipas mediave të huaja, mëngjesin e së shtunës, dy persona zbritën nga një furgon i bardhë i parkuar në cep të Quai Jacques Chirac dhe Allée Jean Paulhan për të vendosur pesë arkivole në trotuar.
Arkivolet ishin të zbukururara me flamuj francezë dhe mbishkrimin "Ushtarët francezë të Ukrainës" . Sipas operacioneve të policisë teknike dhe shkencore, arkivolet përmbajnë thasë me allçi që synojnë t'i bëjnë njerëzit të besojnë se nuk janë bosh.
Policia franceze po heton nëse vendosja e pesë arkivoleve është një tjetër akt i ndërhyrjes ruse, pas atij të ngjyrosjes me ngjyrë të kuqe të memorialit të Holokaustit në Paris, ndërsa aktualisht janë arrestuar 3 persona, drejtuesi i furgonit si dhe 2 te tjerë të cilët supozohet se janë organizatorët.
Mbishkrimi besohet të jetë një paralajmërim për presidentin francez, Emmanuel Macron, duke ngritur mundësinë e dërgimit të trupave perëndimore në Ukrainë, një sugjerim që Moska e ka përshkruar si të rrezikshëm.
Incidenti gjithashtu pasoi bisedimet midis ministrave francezë dhe ukrainas të mbrojtjes një javë më parë, në të cilat u ngrit mundësia që Franca të dërgonte instruktorë ushtarakë në Ukrainë për të trajnuar forcat e saj.
Detektivët francezë po hetojnë lidhjet midis një prej të dyshuarve dhe vandalizmit të memorialit të Holokaustit në Paris një javë më parë; 35 duar të kuqe u pikturuan në monumentin, i cili nderon individët që shpëtuan hebrenjtë nga persekutimi gjatë pushtimit nazist të Francës 1940-44.