
Papa Leo XIV ka bërë thirrje për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë, si dhe për përfundimin e konflikteve globale, të cilat ai i krahasoi me një “Luftë të Tretë Botërore në copa”.
Në fjalimin e tij të parë publik, mbajtur këtë të diel nga ballkoni qendror i Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan, Papa i ri u bëri thirrje fuqive botërore që të ndërmarrin hapa konkretë për ndalimin e luftërave dhe dhimbjes njerëzore. Ai kërkoi një armëpushim të menjëhershëm në Gaza, ndihmë humanitare për popullatën dhe lirimin e të gjithë pengjeve.
Gjithashtu, Papa përshëndeti armëpushimin mes Indisë dhe Pakistanit, duke kujtuar fundin e Luftës së Dytë Botërore më 1945. Ai përsëriti thirrjet e paraardhësit të tij, Papa Françesku, me fjalët: “Edhe unë u drejtohem fuqive të mëdha të botës, duke përsëritur thirrjen gjithmonë të pranishme kurrë më luftë.”
Kjo ishte paraqitja e tij e parë publike që nga dita e enjte, kur ai u zgjodh Papa i 267-të i Kishës Katolike pas një konklavi dy-ditor. Para zgjedhjes, ai ishte kardinali amerikan Robert Prevost, 69 vjeç, një emër më pak i njohur për publikun e gjerë, por me përvojë të gjatë në misione baritore dhe në administratën e Vatikanit.